Gjilan

Ismajli: Jam i sigurt se qëllimi i mirë për t`i shërbyer qytetarit i mbulon të gjitha pikat e zeza që mund t`i kemi pasur mes vete si subjekte politike

Gjilan, 16 shtator 2021 / Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mbledhjen e sotme, të fundit për këtë mandat, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka miratuar planin zhvillimor komunal (PZHK) 2021-2029, buxhetin për vitin fiskal 2022 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2023-2024, kërkesën për kompensimin e komisionit për vlerësimin e ofertave si dh kërkesën për subvencionimin e transportuesve publikë, të dëmtuar nga pandemia Covic-19.

Pozita dhe opozita patën mospajtime rreth rendit të ditës. Opozita (LVV-PDK) kërkoi që sot të shqyrtohet dhe miratohet vetëm buxheti, ndërsa pikat tjera të shtyhen për mandatin e ardhshëm të Kuvendit, meqë tani jemi në fushatë zgjedhore.

Madje, pati edhe kërkesa që, për arsye të njëjtë, të mos mbahet fare as seanca e Kuvendit.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini tha se seanca është thirrur në harmoni me aktet ligjore dhe procedurale, duke sqaruar se Kuvendi ka të drejtë pune deri në konstituimin e përbërjes së re.

Sa i përket planit zhvillimor komunal (PZHK), drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami sqaroi se ky dokument i planifikimit hapësinor i ka kaluar dhe përfillur të gjitha procedurat, përfshirë edhe dëgjimet publike, ndërkohë që pas miratimit të rendit të ditës, përfaqësuesi i kompanisë projektuese bëri edhe një prezantim të planit.

VV-ja, e cila paraprakisht deklaroi se do ta lëshojë seancën, nëse PZHK nuk hiqet nga rendi i ditës, edhe e bëri këtë, duke u larguar nga salla e Kuvendit.

PZHK u miratua me 16 vota për dhe asnjë kundër. PDK abstenoi në votim.

Kryesuesja Kurteshi-Emini nënvizoi se PZHK miratohet me rekomandimin që çështja e hapësirës së varrezave të qytetit të vlerësohet dhe definohet më vonë me një vendim të veçantë të Kuvendit.

Informatat për propozim-buxhetin 2022, i dha drejtoresha e Financave, Meral Sadriu-Vokshi, duke nënvizuar një rritje te kategoria e subvencioneve, sipas kërkesës së asamblistit Gentrit Murseli, e cila ka marrë mbështetje nga kryetari i Komunës dhe Ministria e Financave dhe subvencionet, nga 820 mijë euro, janë rritur në 970 mijë euro.

Ndërkaq, kryetari i Komunës ka kërkuar që mjetet nga programi i zyrës së tij, në propozim-buxhetin 2022-2024 të barten te programi i Teatrit të Qytetit, për shkak të nevojave urgjente që ka ky institucion, në shumë prej gjithsej 60 mijë euro.

U kërkua të merret parasysh në projektimin buxhetor edhe çështja e subvencionit të bizneseve, sikurse edhe në shëndetësi, shkaku i pandemisë, e cila po vazhdon me shumë të panjohura.

Propozim-buxheti u miratua me 20 vota të të pranishmëve, përfshirë edhe opozitën (PDK).

Sa i përket kërkesës për subvencionimin e transportuesve publikë, sqarime ka dhënë Avdyl Aliu, duke thënë se bëhet fjalë për 15 transportues, me 45 punëtorë dhe propozoi që mbështetja të bazohet në numrin e të punësuarve në vlerë të përgjithshme prej 67.500 euro.

Dihet se transportuesit janë të detyruar të punojnë me kapacitete të përgjysmuara, shkaku i pandemisë, kurse kanë shpenzime të mëdha operative.

Hevzi Xhelili tha se në parim edhe ata janë për, por dilema e tij ishte nëse ka mjete për të subvencionuar këtë kategori, derisa Ibish Ibishi tha se përveç punëtorëve, duhet të përkrahen financiarisht edhe kompania, sikurse duhet të shikohen mundësitë për t`i ndihmuar edhe kategoritë tjera afariste.

Drejtoresha Sadriu-Vokshi tha se Drejtoria e përkrah propozimin dhe u zotua se do të mundohen që t`i sigurojnë mjetet për secilën kompani transportuese, që përfshihen në këtë kërkesë.

Përndryshe, nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli, duke falënderuar grupet politike për bashkëpunim dhe korrektësinë që kanë treguar në Kuvend dhe në raport me ekzekutivin, gjatë kësaj periudhe 4-vjeçare, u shpreh i bindur se shërbimi ndaj qytetarëve ka qenë qëllim i përbashkët i të gjithëve.

‘Jam i sigurt se qëllimi i mirë i gjithsecilit për t`i shërbyer qytetarit i mbulon të gjitha pikat e zeza dhe boksat politikë që kemi mundur t`i kemi mes vete si subjekte politike’, ka thënë Ismajli.

Ndërkaq, duke iu dhënë përgjigje disa prej interesimeve të këshilltarëve komunalë, Ismajli tha se paratë që janë planifikuar për fushatë, kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri ka premtuar se do t`i ndajë

për ndërtimin e një shtëpie për nevojtar dhe besoj se është në proces për ta realizuar këtë premtim.

Kurse sa i përket subvencionit të klubeve sportive, ai tha se projekti është në proces dhe se duhet të bëhet një ekip nga Kuvendi për ndarjen e mjeteve, sipas kërkesave të klubeve.

Ndërkaq, rrethoja në lagjen Dardania është problem në vete dhe ndoshta duhet me u heq krejtësisht, meqë renovimi i saj është i vështirë, tha ai.

‘Momentalisht nuk po mund të gjejmë forma për largimin e saj, sepse nuk ka qenë aktivitet i planifikuar nga prokurimi, prandaj më e mira për momentin është me heq krejt atë rrethojë’, ka thënë Ismajli.

Kuvendarët e kësaj përbërje i ka falënderuar për angazhim dhe kontribut në vendimmarrjen komunale edhe kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, duke iu dëshiruar suksese në garën zgjedhore.

You Might Also Like