Gjilan, 11 qershor 2020 – Komuna e Gjilanit në bashkëpunim edhe me banorët e lagjes ka vazhduar aksionin për mbjelljen dhe gjelbrimin e hapësirave publike në Sheshin e Ilegales, me qëllimin që ambienti të jetë në shfrytëzimin më të mirë për qytetarët dhe në funksion të zgjerimit të hapësirave të gjelbërta.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se fokusimi në këtë lagje është me qëllimin e njejtë që t’i kthehet pamja e meritueshme dhe në funksion të ruajtjes së ambientit dhe gjelbërimit të tij.
“Ky aksion është i vazhdueshëm dhe nuk do të ndërprehet deri në kthimin e imazhit që Gjilani e meriton me një kujdes maksimal ndaj gjelbrimit. Ambienti i pastër është shëndet më i mirë për banorët kudo që jetojnë, sepse mungesa e mirëmbajtjes apo papastërtia janë rrezik i shëndetit publik”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Këshilltari Komunal, Fitim Guda, banor i kësaj lagjeje dhe organizator i aktivitetit, ka falënderuar qeverisjen komunale për kujdesin që është duke treguar ndaj ambientit dhe fokusin që ka në zgjerimin e hapësirave gjelbëruese.
Apel i përbashkët ka qenë ruajtja e ambientit për një jetë dhe shëndet më të mirë publik, sepse vetëm kështu garantohet prona publike duke e trajtuar secili si oborr të vetin.