Gjilan, 07 Mars-Skuadra e Gjilanit ditën e sotme ka mbajtur seancën e fundit stërvitore, para duelit të nesërm kundër Llapit në Podujevë, duel i vlefshëm për javën e 22-të, në Ipko Superligën e Kosovës.
Stërvitja e sotme, e cila si zakonisht e fundit para takimit ishte relativisht e lehtë dhe e drejtuar në anën taktike të takimit, me detajet e fundit të punuara nga skuadra e Gjilanit dhe zgjati rreth një orë, e cila u mbajt tek fusha ndihmëse me barë artificial.
Gjendja e futbollistëve para këtij dueli mbetet e mirë, kurse në takimin e nesërm kundër Llapit për Gjilanin pritet të mungojnë, Oltion Rapa e Ylli Shameti që janë në fazën finale të rikuperimit dhe Ylber Kastrati, i cili në ndeshjen kundër Feronikelit kishte mbushur normën e kartonëve dhe do të mungojë në duelin e kësaj xhiroje për kuq e bardhët.
Skuadra e Gjilanit nesër udhëton drejt Podujevës, për ta zhvilluar takimin kundër Llapit, e që është dhe i fundit për fazën e dytë kampionale.
Ndeshja Llapi-Gjilani zhvillohet me fillim nga ora 14:00, në stadiumin “Zahir Pajaziti”, në Podujevë.