Gjilan

Ja kush ishte Ilir Mustafa, refugjati kosovar për të cilin u bë dokumentar në Francë

Në moshën 57- vjeçare, në Francë ka ndërruar jetë Ilir Mustafa, veprimtar i palodhur i cështjes së Kosovës jo vetëm në Francë, por edhe më gjerë, të cilin edhe kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri e ka cilësuar si ambasador të Kosovës për dy dekada në Francë.

Po kush është në fakt gjilanasi Ilir Mustafa, i cili nga një refugjat u bë veprimtar i palodhur në Francë.

Për të në Francë ishte bërë film dokumentar. Jeta e tij është e mbushur me përplot ngjarje, prej një emigranti që me ngulm refuzonte të dëbohej, deri te një njeri kontrubiti i të cilit për çështjen e Kosovës ishte shumë i madh në Francë.

Falë Ilir Mustafës dhe bashkëpunëtorëve të tij francezë, Kosova u ndihmua shumë, zuri vend meritor në Këshillin e Evropës, Gjilani mori diplomën e Evropës si qytet i paqes dhe shumë të arritura të tjera.

Në fillim të vitit 1996, ai po kërkohej nga policia serbe për shkak të aktivitetit dhe kishte vendosur të ik për në Gjermani, i zënë nga policia ai ishte kthyer në vendin nga kishte hyrë në territorin gjerman dhe u kthye në Francë në paraburgim. Ai po depërtohej për në Kosovë dhe në aeroport kishte parë se depërtimi do të bëhej nëpërmjet Beogradit, andaj rezistoi. Edhe herën e dytë nuk kishte pranuar të kthehej, bile edhe piloti ishte kundër që ai të futet në aeroplan, ngase rezistonte dhe sërish e kthyen në qendrën e ndalimit, duke pritur që t’a kthejnë nëpërmjet Shkupit. Mustafa iu nënshtruar edhe një gjykimi të tretë dhe në gjykimin e tij ishin të pranishëm gazetarët e përfaqësues të të drejtave të njeriut e Ilir Mustafa e shfrytëzoi rastin të flas për të drejtat që po u shkeleshin shqiptarëve dhe u dënua me tre muaj burgim për futje ilegale në Francë dhe pas kryerjes së paraburgimit duhej të depërtohej. Iliri u fut në grevë urie, shoqatat humanitare po e përkrahin e atë dhe jashtë po nënshkruhej peticion për lirimin e tij. Sidomos aktive ishte Shoqata për Lëvizje Paqësore MAN, që bënte presion për lirimin e tij dhe arritën t’a nxjerrin prej paraburgimit dhe  e vendosën në një qendër të të rinjve. U bllokua edhe ndërtesa e prefekturës, kurse vetëm pas një presioni të madh, atij iu kthye një përgjigje pozitive për qëndrim në Francë.

Bashkë me Zhan Iv Karlenin, Zhoel Erhartin, Stev Dyshenin dhe anëtarë të tjerë të MAN-it nisën aktivitetin e përbashkët dhe qysh më 1996 miqtë francezë erdhën në Kosovë dhe nisën aktivitetet, qyteti i Lyterbahut u binjakëzua me Gjilanin, u mbajtën demonstrata në Francë para Këshillit të Evropës, u kërkua që Jugosllavisë t’i jepej kartoni i kuq dhe të përjashtohej nga Kampionati Botëror që më 1998 po mbahej në Francë. Për tërë këtë aktivitet, miqtë francezë u shpallën persona non-grata dhe iu ndalua hyrja në Jugosllavi. Gjendja në Kosovë po bëhej gjithnjë më e rëndë dhe ajo po prezantohej në Francë. U shkruan dy libra për gjendjen në Kosovë, u mbajtën 93 konferenca de debate publike, mbi 100 artikuj nëpër gazeta franceze, intervista në TV, radio emisione e dokumentare, kurse ata ishin përcjellës të delegacioneve që po udhëtonin shpesh në Francë.

MAN nuk e ndali aktivitetin edhe gjatë luftës, u pritën refugjatë, jepeshin ndihma për Kosovën, kishte angazhim politik e pas luftës ndërmjetësuan që Kosova të jetë e pranishme në Këshillin e Evropës, në Kongresin e Pushteteve Lokale, u organizuan vizita të kryetarëve të komunave dhe u dhanë ndihma për Kosovën në vlerë qindra mijëra euro franga zvicerane, si në rregullimin e Çerdhes së Fëmijëve “Ardhmëria II” në Gjilan, Qendrës Socio Kulturore “Francë – Kosovë”, hapjen e ADL-së, rregullime të shkollave nëpër fshatra dhe shumë aktivitete të tjera.

As pas pavarësisë së Kosovës, Ilir Mustafa nuk e ndërpreu aktivitetin, por mu atëherë kur ishte në vlugun e punëve ai u diagnostifikua me një sëmundje të rëndë, pas të cilës ndërroi jetë.

Lavdi jetës dhe veprës së Ilir Mustafës.

You Might Also Like