Në Bibliotekën Ndërajonale “Fan S. Noli” në Gjilan, këtë të mërkurë është promovuar libri me titull “Joga dhe Sporti” i autorit Salih Hasanit, që është konsideruar libër i veçantë nga një autor i veçantë, shkruan kryelajmi.com.
Në këtë promovim libri, Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, ka theksuar se Salih Hasani është një njeri i veçantë, i cili ka dhënë shumë për sportin gjilanas. Ai tha se Salihu ishte një njeri me vizion të madh, i cili frymëzoi të rinjtë për t’u marrë me karate.
“Autori në këtë vepër sjellë dy tema të mëdha, harmoninë e trupit me harmoninë e mendjes”, duke derdhur në këtë libër tërë veprimtarinë e tij jetësore e ky libër mund të cilësohet gurthemeli në këtë sport.
Raif Musa, instructor i karatesë dhe njëherit edhe nga këshilli redaktues i librit, ka thënë se ky libër i tejkalon kufijtë lokalë, ngase në Kosovë joga nuk është edhe aq e njohur edhe pse ajo praktikohet shumë. Për autorin, ai tha se tërë jetën ia kushtoi kësaj lamie dhe se ka krijuar një libër të veçantë, të atillë cfarë është vetë autori si një njeri që tërë jetën ia kushtoi sportit.
Hazir Mustafa, ish-karateist e që ishte njëri ndër nxënësit e trajnerit Sali Hasani, theksoi se ishte nder për të dhe ka evokuar kujtime nga themelimi i Klubit të Karatesë “Zenel Hajdini” në Gjilan deri në vitet e nëntëdhjeta kur u pagëzua me emrin Drita. Ai tha se Salih Hasani meriton të nderohet e të çmohet. Edhe Ismet Bunjaku, ish- nxënës i këtij trajneri, ka theksuar se trajneri Hasani që në atë kohë kishte përdorur jogën në ushtrime dhe foli për rëndësinë e saj, derisa Arsim Ibrahimi, kryetar i KK Drita ka folur për periudhën pas pranimit të karatesë kosovare në ËKF, kohë në të cilën Gjilanin e cilësoi si qytet të karatesë që arriti të vjelë medalje në të gjitha garat e mëdha botërore.
Autori i librit, Salih Hasani, foli për historikun e karatesë në Gjilan që nga viti 1974, kur ishte themeluar klubi i parë, i cili u zyrtarizua më 1975, duke thënë se përgatitje fizike është e lidhur me përgatitjen mendore, duke e ndërlidhur këtë me jogën tradicionale se si funksion ajo e që më së miri kuptohet kur të lexohet ky libër tejet interesant.
Ndryshe, Sali Hasani që nga viti 1970 kishte nisur të merret me karate dhe ishte ideator dhe themelues i Klubit të Karatesë “Zenel Hajdini” nga Gjilan dhe bashkë me Esat Marovcin e kishin regjistruar këtë klub. Ai më pas kishte emigruar në Gjermani, ku kishte punuar me shumë mjeshtër të karatesë nga mbarë bota dhe diturinë e tij për këtë sport e kishte demonstruar nëpër seminare të ndryshme dhe evente të mëdha botërore të karatesë. /kryelajmi.com/.