Libri

U promovua libri i parë historik për rezistencën e armatosur për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, “Kryengritja Çlirimtare në Kosovë Lindore gjatë viteve 1999-2001”

 Nga autori: Ma.sc. Valon Jashari

Më 21 nëntor në Sallën e Bibliotekës Kombëtare ‘Pjetër Bogdani” në Prishtinë, është bërë promovimi i librit të historianit, Ma.sc. Valon Jashari, “Kryengritja Çlirimtare në Kosovë Lindore gjatë viteve 1999-2001” (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë). Është libri i parë për këtë periudhë historike, që në tërësi shtjellon kryengritjen çlirimtare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, (UÇPMB-në). Recensentë të librit janë Prof. Asoc. Dr. Nuri Bexheti, dhe Prof. Dr. sc. Ardian Emini.

Në kundërshtim me shumë studiues të fushës që e konsiderojnë se ende nuk ka ardhur koha për të shkruar historinë e sapo ndodhur, megjithatë përkushtimi dhe qëllimi pozitiv bën që nuk do të thotë që ngjarjet bashkëkohore nuk duhet përshkruar dhe analizuar.

Studimi i luftërave çlirimtare është një nga temat më të vështira për të hulumtuar. Duke iu qasur nga dimensioni teorik, kritik dhe historiografik, kësaj periudhe të historisë me të re shqiptare, ky botim synon që të jep njohuri të mjaftueshme për këtë periudhë historike e cila deri më tani është e paprekur nga studiuesit e historisë. Kjo periudhë historike nuk është stdiuar sa duhet, dhe si pasojë nuk njihet mirë. Për më tepër, në përgjithësi, nuk është i mundur përdorimi i burimeve më me interes. Mungesa e dokumentacionit si nga ana e kryengritësve ashtu edhe nga ana e shtetit serb është një dukuri shumë e shpesht gjatë veprimeve të ndryshme të kësaj periudhe. Edhe pse materialet në mënyrë të plotë, mund të zbërthehen vetëm në vitet që vijnë, por materialet që kemi siguruar për këtë periudhë janë të pjesërishme dhe delikate. Pra, si rrjedhojë e ndiejmë për detyrë ta njoftojmë lexuesin, si tiparë zotërues i këti libri për këtë periudhë historike është eksperienca personale dhe pjesëmarrja direkte në këtë kryengritje çlirimtare, si dhe dokumente që deri më tani nuk kanë qenë të publikuara.

Në rrethanat e gjendjes politike që mbretëron sot në Kosovë Lindore gjegjësisht në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, që ende është nën okupimin Serb, për fat të keq, qasja për të shkruar, studiuar këtë periudhë është shumë problematike dhe me një përgjegjësi shumë të madhe, si dhe me një rrezik serioz. Këtu nuk duhet përjashtuar faktin as edhe nga pala shqiptare duke pasur parasyshë specifikat e asaj lufte çlirimtare, ku qasja ishte shpeshherë edhe e vështirë të depërtohej për grumbullim të të dhënave, dëshmive, dokumenteve nga akterët e njërës brigadë tek ata të brigadës tjetër, pasi që edhe sot e kësaj dite kufizohen në deklaratat e tyre.

Vështërsia e grumbullimit të informacionit bazë me të vërtetë ishte shumë sfiduese por nga që përpjekja, përqëndrohej që sadopak për këtë luftë çlirimtare të hidhet një dritë sado modeste e që brezat në vazhdim të bëjnë punën më të duhur për këtë ngjarje historike. Qasja në shtypin ditorë-gazeta është një sfidë në vehte për një historian, pasiqë nëse i referohemi mediave të huaja në Europë dhe botë, e kanë të ndaluar ti referohen të gjitha mediave të shkruara në Kosovë, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni, pasi që shtypi është i pa besueshëm nga këto vende. Si historian shtypi më shumë i ka shërbyer si një orientues kronologjik dhe më tepër si referenca për të gjurmuar më pastaj më shumë përmes metodave shkencore për ndonjë problematik të caktuar të kësaj periudhe historike që do të ketë mundur të më ketë ikur gjatë trajtimit.

Historiografia shqiptare për fat të keq këtë periudhë historike deri më tani e ka lënë nën hije dhe pluhuri i harresës tash pas dy dekadave vetëm se ka dhënë rezultatet e saja, pasi që disa nga akterët më kryesor të kësaj lufte vetëm se kanë vdekur, nga padituria në shumë raste edhe dokumentacioni është humbur. Ikja në kohë ndikon direkt që edhe ata akter që janë, të kenë një kujtesë jo shumë të freskët. Pamundësia që nën okupimin Serb në nivel lokal, si dhe mungesa e vullneti si dhe vetëdija e ulët që të krijohet një fond arkivor për atë luftë çlirimtare janë një sfidë në vete.

Procesverbalet e takimeve të strukturave udhëheqëse të UÇPMB-së, si ai i takimit të Breznicës, të cilat deri më tani nuk janë botuar asnjëherë, dhe që kanë një rëndësi të dorës së parë, pasi që direkt trajtohen ngjarjet me rëndësi të kësaj lufte. Pa dyshim qasja në mënyrë sa më analitike duke iu përmbajtur metodave historike për një studim të mirëfillët, dhe jo vetëm duke e parë nën syrin e një ballkanasi apo edhe një ish-veterani apo historiani shqiptar, por autori është munduar të zhvishet në maksimum nga shkalla e nacionalizmit duke i lënë rrugë argumentit dhe qasjes në mënyrë sa më objektive, dhe duke u munduar të shikoj edhe me syrin e një dëshmitari okular e bashkëkohaniku e akteri por me mendjen e një historiani të shekullit XXI.

Ditarët e luftës janë një burim shumë me rëndësi, për të parë atë ngjarje edhe nën rezolucionin e një veterani direkt që ka qenë në atë ngjarje historike. Gjithësesi ditarët e luftës i ka trajtuar shumë me kujdes, pasi që është normale në një luftë gjërat edhe të jenë nën frymën e propagandës së caktuar, si dhe të emocioneve personale të çdo ditarëshkruesi.

Intervistat dhe bisedat e zhvilluara janë thuajëse brenda një periudhe mbi një dekadë, dhe ka pasur raste që një akterë të intervistohet mbi dy herë duke iu kthyer, pasi që grumbullimi i informacionit bazë impononte një gjë të tillë. Gjithashtu qasja në intervista ka qenë puna më e vështirë. Duke u nisur nga fakti se shpeshherë ka hasur në intervista jo korrekte duke

pretenduar për një ngjarje, apo duke paragjykuar, apo duke iu dhënë konatacion të kundërt me realitetin apo edhe duke i zmadhuar, është dashur të vrapohej deri tek burimi, për të verifikuar atë ngjarje. Pastaj, analizimi dhe krahasimi i intervistave për një ngjarje të caktuar, dhe krejt në fund për të nxjerrë mendimin rreth asaj ngjarje, përmes metodës analizuese, kritike e të sintezës.

Gjithashtu edhe intervistat me lider të partive politike të mbledhura si në shtyp si në komunikatat për media, bënë që të ballafaqohej me konceptin si brenda luftës si atë jashtë luftës nga ana e nivelit të partive politike lokale që pa dyshim janë bashkëakter të atyre proçeseve politike, sidomos gjatë kohës së negociatave.

Kjo periudhë historike është pjesë organike e lidhur me historinë e popullit shqiptar dhe e integruar me atë të historisë botërore. Për të kuptuar pjesën më të madhe të kësaj periudhe historike, nuk i duhet referuar aq shumë logjikës së politikës së madhe botërore, se sa asaj rajonale, ngushtesisht ballkanike. Vetë marrëdhëniet ndërballkanike janë përcaktuar nga evolucioni i brendshëm i secilit nga këto vende. Lufta për pushtet, kundërvënia e klasave dhe antagonizmat kombëtare përcaktojnë linjat politike që mund të mishërojnë diskutimet e ndryshme ideologjike. Dhe me të drejtë thuhet se “Ballkani prodhon më tepër histori sesa është në gjendje të konsumojë”.

Librin në fjalë mund ta gjeni në Librarinë Artini-Toena në ndërtesën e Institutit Albanologjik në Prishtinë.

 

You Might Also Like