Në moshën 57-vjeçare ka ndërruar jetë Ilir Geci, kitarist, njeri i shkencës e i kulturës, ish-futbollist dhe një qytetar shumë i nderuar në Gjilan e më gjerë. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë të të ndjerit nëpërmjet një postimi në facebook.
Ilir Geci, qysh i ri është marrë me aktivitete kulturore e sportive dhe pas shkollimit fillor e të mesëm kishte vazhduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë për të punuar më pas për disa vite në Zvicër.
Më pas, pas luftës në Kosovë, për disa vite me radhë ai kishte punuar kampin ushtarak Bondsteel, ku ishte vlerësuar për etikën e lartë profesionale dhe sjelljen e tij të dalluar. Me arsimim në fushën e mjekësisë dhe i dalë nga një familje e arsimuar, Iliri ishte gjithmonë pranë njerëzve, duke reflektuar pozitivitet dhe mirësi në çdo rrethanë.
Kontributi i tij në shoqëri dhe afërsia që krijonte me të gjithë do të mbesin gjatë në kujtesën e qytetarëve të Gjilanit. Ai do të kujtohet si një njeri i urtë, i përkushtuar dhe me vlera të larta humane.
Ilir Geci shquhej edhe si koleksionit i madh i kitarave të ndryshme dhe luante me kënaqësi me kitarë, ngase qysh i ri kishte qenë edhe kitarist dhe solist i disa grupeve muzikore në Gjilan. /kryelajmi.com/.