Pas një sëmundje të shkurtër, këtë të martë, ka ndërruar jetë Nehat Ferati, kryetar i Ansambilit të Këngëve dhe të Valleve “Gjilani”. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarë të të ndjerit, kurse me ndarjen e tij nga kjo jetë, Gjilani dhe mbarë Kosova kanë humbur një punëtor të palodhshëm të kulturës, i cili me vite të tëra qytetit të Gjilanit i ka sjellë vende të para si këngëtar e instrumentist, por edhe lajme për arritje e çmime të tjera që merrnin kolegët e tij nga AKV “Gjilani”, artistë të tjerë, por edhe vet ansambli, si në gara brenda Kosovës, po ashtu edhe jashtë vendit.
Nehat Ferati ishte njeriu pozitiv dhe profesional në fushën e tij, që kontribuoi shumë në fushën e muzikës duke i nderuar mbarë artistët në Gjilan, por edhe vet komunën e Gjilanit dhe Kosovën.
Nazim Gagica ka bërë një dedikim prekës për kolegun e tij:
***
I trishtuar nga lajmi për ndarjen në moshë ende të re të mikut tim, kolegut, vellait tonë, artistit, Nehat Ferati.
Nuk e kisha menduar se do të shkruaj kështu për ty shok, jam thellësisht i tronditur.
Ikja jote herët në amshim, ka me lënë boshllëk kudo që ti ke qenë prezent; mes miqësh, në profesion, në Gjilan e kudo.
E pamundur të gjejë fjalë për të treguar kush ishe për mua, thjeshtë e pamundur!
Ngushëllime familjes, kolegëve të profesionit dhe gjithë atyre që e njohën!