Këtë të shtunë ka nisur ,,Vjeshta Letrare e Gjilanit,, ngjarje kjo që i dedikohet librit e sivjet ky është edicioni i pesëmbëdhjetë, i cili organizohet nga ARS Club ,,Beqir Musliu,, dhe shtëpia botuese që mbanë të njëjtin emër, shkruan kryelajmi.com.
Sabit Rrustemi, drejtor i këtij manifestimi të madh kulturor e letrar, ka thënë se ky është një jubile i vogël, por shumë i rëndësishëm, të cilin sivjet me praninë e tyre e kanë madhështuar poetët Nazmi Rrahmani, Anton Nikë Berisha dhe Murat Ajeti, sikurse edhe ish-deputetët Ismajl Kurteshi dhe Lirije Abdurrahmani Kajtazi.
Rrustemi ka bërë prezantimin e aktiviteteve të “Vjeshtës Letrare”, e cila tash e 15 vite ka të njëjtin mision për të shprehur vepra letrare dhe që nga fillimi e deri më tashti janë botuar gati 200 libra, sot po prezantohen gjashtë libra me poezi, derisa vetëm gjatë këtij viti nga SHB “Beqir Musliu” janë botuar mbi 20 libra, tri nga të cilat janë financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Shkencës, kurse Gjilani edhe më tej po e mbanë epitetin e qytetit të artit dhe të kulturës.
Nexhat Rexha, poet dhe kritik i artit letrar ka theksuar se “Vjeshta Letrare” po na bashkon, në të po prezantohen vepra të shkrimtarëve nga e gjithë hapësira mbarëshqiptare. Ai kalimthi ka përmendur veprat që janë promovuar gjatë verës që sapo mbaroi si “Netët e Karadakut” të Ibrahim Kadriut, “Frymë atdhe-dashurie” të Izet Kallabës, “Dritën ti e ndeze” të Ibush Vishit, “Kur dielli lind në bebëza” të Zanë Malit, “Uni i ndarë” të Kaltërina Berishës dhe “Era shtegton hullive të ëndrrave” të tetë autorëve arbëreshë, libër ky i përgatitur nga Anton Nikë Berisha.
Anton Nikë Berisha, kritik letrar ka folur për librin “Era shtegton hullive të ëndrrave” të tetë autorëve arbëreshë dhe ka theksuar se ne kemi nevojë të dimë dhe të mësojmë se çka shkruajnë të tjerët. Ai tha se në këtë libër me poezitë e tyre të veçanta janë paraqitur tetë autorë arbëreshë, shumica e të cilëve janë poete femra.
Në fund të kësaj ngjarje kulturore secili nga autorët e prezantuar kanë deklamuar nga një poezi të veprave të tyre. “Vjeshta letrare” vazhdon me aktivitetin e radhës në fundjavën që vjen./kryelajmi.com/.