Trashëgimi

Kalaja e Pogragjës objekt i rëndësishëm i kulturës sonë


dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Gjilan

Kalaja e Pogragjës është një nga vlerat më të rëndësishme të kulturës materiale të Gjilanit. Elementet e zhvillimit të shoqërisë njerëzore në kodrën e Kalasë dhe në vetë fshatin Pogragjë paraqiten në periudha të ndryshme kohore, duke filluar nga bronzi, hekuri, ajo antike, antike e vonë dhe bizantine. Më e rëndësishme duket të jetë periudha romake, kur  Pogragja qe një ndër stacionet e mëdha (mutatio) për ndërrim kuajsh që lidhte këtë pjesë të Kosovës me kanalin Naisus – Scupi. Po në fshat, në arealin e quajtur Pode, është gjetur stela sepulkrale, e datuar si e çerekut të parë të shekullit III, që gjithashtu flet për jetë e vdekje njëkohësisht në periudhën romake.

Shikuar në këtë kontekst, lidhshmëria Kala – fshat del krejtësisht e dukshme. Në të vërtetë, për sa i përket periudhës romake, – ekzistencën e saj e konfirmon edhe monedha më e vjetër Otacila Severa, 246-249, e gjetur në kodrën e Kalasë. Në këtë frymë, Dragan Çukiq me të drejtë këtë kala e konsideron si romake ose bizantine të hershme.

Vetë Kalaja është një prej toponimeve që gjendet në listën e gjatë të shkrimtarit bizantin Prokopit të Çezaresë, shekullit VI (Procopius, De aedeficis – Mbi ndërtimet). Ajo i takon tipit të ndërtimit qytet-kështjellë, e rindërtuar nga Justiniani I (527-565), pas tërmetit të vitit 518. Funksioni ushtarak i Kalasë është i qartë, por gjithsesi që do duhej parë edhe një funksion të dytë, atë administrativ të fortifikatës. Personeli civil, përpos tjerash, ka udhëhequr edhe punën në minierën e hekurit, e cila edhe sot ndodhet në Pyllë, në kodrën përballë kalasë, në lindje të saj. Mbeturinat e xehes së hekurit të shkrira gjenden mbi sipërfaqen e tokës, rezervat e së cilës (xehes së hekurit) gjenden me bollëk në malet e Karadakut, nga Pogragja nëpër Debellde, e deri në Buzovik.

Një nga karakteristikat që e dallon këtë kështjellë nga të tjerat, është  planimetria e saj, e cila ka formën e një pesëkëndëshi të çrregullt, ndërsa muri jugor i kullës qendrore formëson njëkohësisht murin mbrojtës.

Kalaja e Pogragjës përbëhet nga komponentë, siç janë muri i parë dhe muri i dytë rrethues, tri kullat katërkëndëshe, vrojtuese dhe  njëkohësisht mbrojtëse të vendosura në murin e dytë rrethues dhe kulla qendrore. Një sistem i  strukturuar kështu, gjithsesi që lehtëson mundësinë për ta “lexuar” më mirë monumentin, edhe pse trajtat përbërëse nuk janë të plota.

Objekti më i ruajtur është kulla qendrore e cila ndodhet në pjesën më të ngritur të kodrës. Mbetjet e mureve janë të ruajtura në lartësinë prej 11.40 m, me trashësi prej 1.80 m.  Nga kulla kryesore, vetëm pjesa perëndimore e strukturës ka mbetur e pa shkatërruar, por as ajo jo e tëra. Muri jugor i kryekullës, njëkohësisht është edhe pjesë e murit të kështjellës. Kulla kryesore ndodhet në brendësi të murit të dytë rrethues, që së bashku me tri kullat tjera, pjesë të murit të dytë rrethues,  të lidhura mes vete me bedena, kanë një sipërfaqe prej  12.70 ari.

Tri kullat e dukshme në murin e fundit rrethues të kullës kryesore, zakonisht shërbenin për forcimin e citadelës, në rast sulmesh nga armiku. Ato njëkohësisht shërbenin edhe si kulla vëzhguese. Kullat janë të vendosura në tri pozicione – kënde: jugperëndim, veriperëndim dhe verilindje. Ndërsa në këndin juglindor ndodhet një kanal që shërben për mbrojtje, para të cilit qëndron një shkëmb natyror. Baza planimetrike e tri kullave të murit të dytë rrethues, është katëkëndëshe, pasojë a rezultantë e konfiguracionit të terrenit, për dallim nga kulla qëndrore që ka bazë katrore.

Muri i parë rrethues, duke valëzuar sipas konfiguracionit të terrenit, është ruajtur vetëm në anën veriore. Trakti i parë ka përmasat 27 x 1.2 x 4 m, ndërsa i dyti 17 x 1.2 x 4, pa llogaritur pjesën e nëndheshme, e cila gjithsesi që mund të jetë herë më thellë, e herë me cekët. Sonda e hapur flet për thellësinë e murit deri në  1. 20 m.

Këtë lokalitet arkeologjik, natyrshëm që do të duhej përmendur edhe për objektet  arkeologjike të ndryshme, që u gjetën gjatë realizmit të projektit “Trajtimi i bimësisë dhe ndërhyrjet konsoliduese me karakter shpëtimi në monumentin Kalaja e Pogragjës”,  në vitin 2007. Nga gjetjet dallohet: qeramika që i përket mbarimit të bronzit dhe fillimit të kulturës së Bërnicës, qeramika e shek. III-II p.e.s., shek. III-IV dhe e shekullit VI, dy unaza, dy maje shigjetash, një fibulë, tri peshore për matje, të gjitha të shek. V.  Mjete të mjekësisë dhe gozhda të ndryshme, si dhe xham vezullues. Prej mjeteve të kuzhinës po përmendim filxhanin me vegje të thyer, pjesë të pjatave, gryka kënatash, fragmente vorbash etj.

Ndërsa, monedhat janë gjetje të veçanta në Kalanë e Pogragjës. Gjithsej janë 73 monedha, prej tyre 43 janë deshifruar, ndërsa 30 sosh janë të dëmtuara shumë, prandaj për të dytat mund të bëhet fjalë vetëm për shekullin përkatës. Dyzet e tri monedhat tjera argumentojnë për jetë të zhvilluar në këtë qytet-kështjellë që nga mesi i dytë i shekullit III, për t’u ngjitur deri në shekullin XV, me monedhën e Sulltan Mehmetit II, ndërsa më e vjetra del të jetë Otacila Severa (246-249). Me interes janë edhe monedhat tjera të deshifruara, si monedha e perandorit të dytë ilir me radhë në Perandorinë Romake, Cladius II Goticus (268-270), Maximinus II (309-313), Constantine II (337-340), Flavius Valens (364-378), Flavius Gratianus (367-383), Gracius (373-393), Flavius Valentinianus II (373-394), Teodosius I (379-395),  Flavius Arcadius (383-408), Flavius Victor (387-388), Flavius Honorius (393-423), Teodosius II (402-430), Zenon (407-491), Justini I, Justinianus I  (527-565), Justini II (565-578), monedhë Bizanti e shek. IX etj.

You Might Also Like