Futboll

Kastriot Rexha beson në kualifikimin e Dritës

Këtë të enjte, skuadra e vetme kosovare e mbetur në garat ndërkombëtare Drita do të ndeshet me Sileksin e Maqedonisë së Veriut në kuadër të raundit të tretë kualifikues në Ligën e Evropës.

Ndeshja zhvillohet në Shkup derisa luhet me eliminim direkt, pra nuk ka ndeshje kthyese kështu që nuk ka as mundësi të dytë.

Një lajm të mirë skuadra gjilanase ka marrë sot, pasi i gjithë stafi i skuadrës dhe lojtarët kanë dalë negativë në testet për COVID-19, sfidë kjo bukur e rëndë për klubet tona, pasi pikërisht për shkak të koronavirusit Drita u eliminua në tavolinë nga gara e Ligës së Kampionëve, ngjashëm si Prishtina që gjithashtu humbi zyrtarisht në garat e Ligës së Evropës pasi disa lojtarë bardhekaltër dolën pozitivë në testin për koronavirus.

Sulmuesi gjigant i Dritës, Kastriot Rexha në një bisedë për “Zeri.info” ka thënë se ekipi është gati dhe se ata kanë bërë përgatitje speciale për këtë ndeshje.

“Jemi përgatitur shumë për këtë ndeshje. Kemi qenë në karantinë në Shqipëri dhe kemi bërë përgatitje speciale”, ka thënë fillimisht Rexha, duke shtuar se ata kanë njohuri të mjaftueshme për kundërshtarin dhe besojnë se do t’ja dalin.

“Kemi pa disa ndeshje të cilat ata kanë zhvilluar dhe mendoj se është e mundur ta kalojmë Sileksin. Ne jemi gati dhe kemi tregu performanca të mirë në këto përgatitje kështu që shkojmë me besim për kualifikim tutje”, vlerësoi sulmuesi prishtinas i Dritës duke folur pak edhe për formën personale.

“Ne kemi bë një ndeshje miqësore dhe skuadra është paraqitur mjaft mirë. Mendoj se forma është e kënaqur si në nivel skuadre ashtu dhe personal”, përfundoi Kastriot Rexha.

You Might Also Like