Trashëgimi

Katër kisha paleokristiane të Hanit të Elezit

artondini

Shkruajnë: Arton Hoxha dhe Sherafedin Kadriu, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Gjilan

Kisha e Paldenicës

Kisha e parë e evidentuar nga QRTK, është ajo që ndodhet në fshatin Paldenicë. Kisha paraqitet si rrënojë, ndërsa ka një trakt të vogël muri, i cili humbet nëpër dheun  dhe shkurret e shumta. Është e ngjashme me kishën në Karaçevë të Epërme të Kamenicës, sepse duket sikur një pjesë e saj, a më mirë baza e saj është thellë në tokë. Në naosin e kishës dhe rreth kishës gjenden fragmente qeramike, si parete qypash, ndonjë vegë qypash të ndryshëm etj. Në anën jugperëndimore të kishës ndodhen varreza të pa hulumtuara, për të cilat thuhet se janë të vjetra shumë. Të vjetrit mbajnë mend për ndonjë asht të gjetur rastësisht.

Këtë kishë, sipas veprimtarit të njohur të kësaj ane, Shaban Çupit,  në vitin 1961, një ekip arkeologësh nga Beogradi kishte vizituar Paldenicën. Ekipi kishte kërkuar një kishë, por përcjellësi i tyre, Gani Dernjani, (tashmë i vdekur e atëherë në moshë, rreth 60 vjeç)  i kishte shëtitur pa u treguar se ku ndodhej kisha rrënojë.  Afër mbrëmjes, njëri nga arkeologët iu kishte drejtuar tjetrit: “Shkojmë se s’është gjë, edhe ashtu nuk është kishë jona”. Vetë Shabani, në këto gërmadha kishte gjetur një kryq të punuar bukur nga një gur i latuar, të cilin e kishte mbuluar me qëllim që të ruhej, por pas luftës, dikush e kishte thyer. Në vend u gjetën copëza nga kryqi.

Afër kishës janë edhe dy mikrotoponime që kanë të bëjnë me ritin e krishterë: mikrotoponimi Livadhet e Kishës si dhe Hurdhat e Kishës.

 

Kisha e Laçit

 

Një kishë tjetër paleokristiane është ajo e Laçit. Kisha ndodhet në lindje të lagjes, në nismë të arave të bukës.  Kisha është njënefshe. Nga ajo kanë mbetur muret strukturore  në lartësi rreth 1 m, me gjatësi prej 7.50 m e gjerësi 5 m. Në anën perëndimore ndodhet absida e ngritur për 1 m. Në anën e jashtme të kishës duken tri faqe muresh, ndërsa muri verior është prishur deri në themele. Brendësia e naosit nuk mund të vështrohet sepse është  mbushur me dhé dhe shkurre, – një handrak i tërë.

Muret e kishës janë bërë nga gurë të latuar të madhësive të ndryshme. Në të vërtetë, në këtë fshat nuk ka gurë të tillë, prandaj mund të jenë sjellë nga ndonjë vend tjetër, po edhe vetë fshatarët nuk dinë nga janë sjellë. Ndërmjet radhëve të gurëve ndodhen radhë tullash prej 5 cm gjerësi dhe 25 cm gjatësi.  Kisha ka oborrin e saj të rrethuar me mur që duket nga rrënojat. Në anën ballore të një guri të vendosur në rrënojat e murit të oborrit ndodhet një  gravim i yllit të Davidit. Më saktë, ylli i dekoruar  është i vendosur brenda një rrethi të vendosur në një kornizë. Edhe në brendësi të gjashtë radhëve ka nga një yll të tillë 6 cepash. Korniza në anën tjetër paraqitet e dekoruar me trekëndësha që ndodhen përkundër njëri – tjetrit. Në anën e prapme, guri ka një kryq në formë të shenjës së negacionit, ose L –së së përmbysur, sepse pjesa tjetër mungon, ngase guri është i thyer dhe nuk arritëm ta gjejmë pjesën tjetër, për të pohuar formën e plotë të kryqit.

 

Mbetjet e Kishës  së Rezhancës

Në fshatin Rezhancë ndodhet kisha e këtij fshati. Në bazën e kishës vërehet një gropë rreth 7×4 m. Muret nuk duken, ato mund të zbulohen tek pas gërmimeve arkeologjike.  Aty-këtu gjenden fragmente qeramike. Për pozitën që ka, mund të konstatohet se kisha kishte një pronë të konsiderueshme, në të cilën ndodhej edhe kroi. Rreth kroit janë rritur plepa dhe shelgje që paraqesin një panoramë të bukur të kishës së fshatit. Fshati Rezhancë është një vendbanim i hershëm, ndërsa veprimtari i kësaj ane, Shaban Çupi, beson se emrin e ka marrë nga fjala rezhdë, që sipas FGJSSH, – rezhda është një lloj bime me theka, e cila rritet në rajonin e Hanit të Elezit.

Mbetjet e Kishës së Seçishtes

 

Në fshatin Seçishtë, më saktë në perëndim të fshatit, në një kodër në të djathtë të rrugës që shpie për Krevenik, ndodhen rrënojat e një kishë. Veç, gurëve, fragmenteve të qeramikës dhe të ndonjë qypi,  vërehet edhe baza e kishës, që megjithatë mbulohet nga shkurret. Kishën e këtij fshati e shoqërojnë toponime të krishtera, si Lëdina e Kishës në perëndim dhe Lugi Kallogjerit në veri.

 

Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Gjilan

 

You Might Also Like