Libri

KËRKIMI PËR NJË REALITET TË RI

Meti REXHEPI

Bajram KOSUMI: ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE (Post roman)

Botimet TOENA dhe ARTINI; Prishtinë, 2023

Pas kërkimesh jetësore në gjithë përvojën e dijes, duke vjelë pareshtur dijet e shkruara, ato të pashkruarat të bartur në breza përvojash, të pleqëruara në oda të popullit, dija e ligjëruar në katedra fakultetesh, e shkëputur nën shkopinj burgu, e shfletuar nga kurdisje kur stivohej historia me ngjyrime e pa ngjyrime ideologjike… Dije e fituar nëpërmjet zbërthimeve të nëntekstit, të mbi-teksteve, me një intuitë që preku dhe rrotulloi gjithçka: gjykime e paragjykime, të vërtetat e gjysmë të vërtetat, përrallat, mitet dhe legjendat, mendësinë e gënjeshtrës të ngritur në sistem dhe, ngarendjet e së vërtetës së etnisë për ekzistencë të shtyrë në zgripe të rrëshqitjes së pakthyeshme…

Për ta përmbushur rrëfimin me të dhëna nga të gjitha sferat e vetëdijes së lashtë dhe të re, shkrimtarit i kishin hyrë në përdorim dijet për metafizikën, trajtat e të gjitha periudhave të sintezave filozofike, etike, teoria politike, artet, idetë historike për kombin dhe shtetin deri te sublimimi i përvojave bashkëkohore për luftën dhe paqen, për kombet dhe pakicat kombëtare, për politikën dhe strategjitë politike… Thelbi i të gjithë përbërësve të lidhur në përmasa për kapje të realitetit të Ishullit, për Ishullin dhe rreth Ishullit… Ishulli ngre një toponim përmasash ku puqen, përplasen e kryqëzohen mozaikë kulturash e ndikimesh, paragjykimesh, përjashtimesh e shfarosjesh… Mendësi që në brendi të modernes kultivojnë faret e mesjetës, etni që paqen e duan vetëm për vetën e tyre dhe, Zotin veçse të një ortodoksie deri në absurd! Kjo botë ngërthesash Ishullore qëmtohet, spikaten, veçohen, përzgjidhen dhe, në trajta të sintetizuara diskursesh tregimtare u qërohen lëvozhgat e vrazhda dhe shtjellohen te “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” e Profesor Dr. Bajram Kosumit.

I vetëdijshëm me përballje aq të gjithanshme për hyrje në sfera e periudha diskursesh, të cilat shënuan botën objektive, rrëfimi i shkrimtarit Bajram Kosumi u shtrua në dhjeta, mbase në mbi treqind e nëntëdhjetë e tetë (398) njësi narrative me të gjithë përbërësit e shtjellimit, të dokumentimit të thënies, pasqyrime shqyrtuese të dukurive, qëmtime tipike të ngjarjeve dhe karaktereve të mjedisit, veçantinë dhe përgjithësimet e bëmave të njeriut në personazhet e drejtpeshuara lakoreve të jetës së motivuar dhe të dëshpëruar. Pamjet e këndvështrimeve etike, politike, filozofike, kontekstet e kontestet e kundërthënieve shoqërore të mjediseve e të personaliteteve në madhështinë, dinakërinë, vogëlsinë, brishtësinë, shëmtinë, falsitetin, egërsinë dhe bukurinë, egon e sëmurë dhe përfitimin në kthesat dramatike, karikaturat  dhe hijet e akëcilit personazh, mëkatet e falshme dhe të pafalshme; programimet e krimit të pandëshkuar në masë e mbi individualitete, dhimbja njerëzore e pa ngushëlluar, paradokset dhe fundi i pa fund i absurdit të njeriut mbi njeriun, janë piketime të ngjeshura caqesh brenda kopertinave të një “ENCIKLOPEDIE” pleksjesh të këtilla  dokumentare – etike – filozofike – politike – imagjinare – estetike dhe artistike.

 

 

 

KËRKIMI PËR NJË REALITET TË RI

Në “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE” na bie në sy spektri i ngjyrave të pleksura me ngërthesa e zbërthime, mbi fushë-shtrirje e relieve karakteristikash nga përkatësi të ndryshme karakteresh, që tërheqin botën e shkrimit për t`i qëmtuar e shtjelluar jo thjeshtë si prozë e pastër, por as si histori e një dokumentimi të thatë. Që në krye të nismës autori, për t`i përplotësuar qëllim-caqet e tija të shkrimit, e shpalon të vërtetën e tij të çiltër programatike për shkrimin:

“Narracioni në Enciklopedi… nuk është tërësisht tradicional, sepse narratori nuk mund të jetë neutral. Neutraliteti me çdo kusht është i shpifur, edhe pse letrarët nuk pajtohen. Atë që s`e pranuan letrarët, e bënë gazetarët: edhe te rrëfimi më neutral, narratori nuk është neutral. Narracioni herë është biblik, herë historik e herë filozofik e psikologjik. Të veçantë e bën pika e vrojtimit”[1]

Pohimit teorik në diskursin e shkëputur pohues të këtij fragmenti të cituar për të veçantën e pikës së vrojtimit, i paraprinë dy premisave teorike dhe vetëdija për kapje të morisë së shtytjeve, duke prekur, përzgjedhur, spikatur për zbardhje veçanësi karakteresh, mandej nxitje për tema periudhave të ndryshme, të hershme dhe të vonshme, të anashkaluara, të anatemuara dhe rikthimin e tyre në bashkëkohësi. Mirëpo, prozatori po ashtu mëton ngritje çështjesh në tematika të reja, të cilat për një arsye apo pa arsye ishin anashkaluar. Shkrimtari i shqisave për nuhatje të thellë, ua ndjeu dhe perceptoi erëmimin e bëmave, që t`i bashkëngjiteshin shumësisë depërtuese në arkiva të gjallë të kokave të pluhurosa nga dinamika e shtuar e përditshmërisë. Ai si qëmtues idesh është i bindur në parimet e tija krijuese se “nuk ka tema të vjetra e të reja dhe rrëfimtari flet për temat në rrjedh, pra për ato tema, të reja e të vjetra, që janë pjesë e të sotmes dhe ndoshta e së ardhmes.”[2]

Sipas Shkrim-qëmtuesit rrëfim ideal nuk do të ketë dhe, lë të merret me mend se atë gjithëpërfshirje mund ta bëjë vetëm Zoti i supozuar… Andaj, vullnetin e shtuar për kërkime të pareshtura e dëshmon shumësia e lëndës së këtij libri, në botën që e rrethon dhe që i sjell fatin e përjetuar. Shkrim-kërkimtari “shpiku rrëfimin metakronik”. Ndonëse si shkrimtar që nuk e fsheh kënaqësinë e shkrimit të një “ENCIKLOPEDIE IMAGJINARE”, ai nuk mëtoi se shteroi temat, motivet, idetë, diskurset kritike, përsiatjet e kundrimeve socio-historike, filozofinë politike, artin e të shkruarit, estetikën e jetës, mospërputhjet e realitetit të mendësive, ngushticat e të jetuarit e të frymëmarrjeve të shtrënguara… Autori ka bindjen e vet se nuk po e përshkruan realitetin ekzistues, por po i jep kahet e veta për ndërtimin e një realiteti të ri, të pamjeve të reja, ashtu sikurse do të duhej të ishte në projeksionet e shkrimtarit për të madhërishmen, për njerëzoren, për qytetërimin, për etikën, për të keqen dhe të mirën, për të bukurën dhe të shëmtuarën, për të vërtetën dhe për paqen. Pa dyshim një ndërmarrje e këtillë krijuese e shkrimit me ngërthesa e zbërthime që joshin interesimin e lexuesve të niveleve të ndryshme, pikërisht për shumësinë dhe larminë e përfshirjes dhe të anë-kapjes së jetës, mënyrën dhe qartësinë e shtjellimit, kënd-ndriçimet deri në imtësi përbërësish; e kurorëzuan këtë vepër me peshë shkencore, publicistike dhe letrare-artistike me vlera për kulturën tonë të shkrimit  që titullohet “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE,”njëkohësisht e gjitha brenda një tërësie të pleksur në prozën artistike, që mëkëmbë një roman postmodern.

Pra, shkrimtari zgjon stuhi e shumësi pikëvështrimesh e pikë – ndeshjesh, tumiresh apo dilemash teorike për metodologjinë e qasjes së “ENCIKLOPEDISË IMAGJINARE” si roman postmodern. Një përvojë e sprovë e munguar në kulturën tonë teorike – letrare – artistike.

 

 

PARIMI I KËRKIMIT

I gjithë diskursi perceptues i lëndës në librin përkatës i lë hapur përsiatjet e lexuesit për komunikim të shumanshëm, pyetjesh e përgjigjesh, dilemash për çështje përkatësie të llojit shkrimor. Konstatimi i parë që mund të shtrosh e të ecësh në rrafshin e këtij libri është thyerja e klisheve të llojit ose zhanrit.

Koncepti themeltar, mbi të cilin ngrihet tërësia e ngrehinës shkrimore të librit, por edhe idetë shtytëse për kulturën e shkrimit, për autorin Bajram Kosumi është parimi i kërkimit. Mbase, përse mos ta apostrofojmë e, madje ta nënvizojmë kërkimin, si njërin nga kreu i parimeve të qëmtimit për bërjen e shkrimit të qëndrueshëm si vlerë, si cilësi prijatare për t`i përzgjedhur vlerat dokumentare e artistike dhe për t`i renditur faqeve të librit me tipologjinë e pleksjeve të zhanreve ose të llojeve? Parimi i kërkimit është procesi shtytës për eksplorimin, zbulimin dhe për zgjidhje të nyjave të enigmave në natyrë e në qytetërimin njerëzor. Kërkimi është parim dialektik, meqë duke qenë proces i pandalshëm, veçse si i tillë shpie në depërtime dukurish të epokave, për t`i afruar lëndë mjaftueshëm krijimit. Krijimi është dukuria e përmasave fondamentale që i përngjason Hyjnisë! Nëse Zoti “i supozuar” krijoi gjithësinë, krejt atë që shohim, ndiejmë e prekim, marrim me mend hapësirat e paprekshme kozmike, gjithë ato konstelacione galaktikash, atëbotë mund të pohojmë: se sado kudo njeriu është krijues dhe një shëmbëllesë e Zotit në tokë.

Në këtë libër njëra njësi e shkëputur të zgjon kërshërinë dhe, të josh që t`i lexosh njësitë tjera pashkëputur. Interesimi e ngre pyetjen e logjikshme: cila tipologji e shkrimit e mbizotëron materien e shkruar në “ENCIKLOPEDIA IMAGJINARE?

Është njëra nga pyetjet që pashmangshëm na shpie në diskutime të gjithanshme.

(Fragment studimi)

              

Gjilan, më 26 nëntor 2025                                                          

[1] Po aty; f. 12;

[2] Po aty; f. 13

You Might Also Like