Veysel Erdel, këshilltar për Arsim në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë dhe Akif Koro, kryetar i Shoqatës së Mësimdhënësve Turq të Kosovës i kanë bërë një vizitë Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, ku janë pritur nga zëvendësdrejtori i shkollës, Agim Asllani, i cili mysafirëve u ka dhënë informacione mbi shkollën, kushtet në të cilat zhvillohet mësimi e me theks të veçantë gjendjet në paralelet me mësim në gjuhën turke, sikurse edhe kushtet e nevojshme për mësimin në gjuhën turke.
Këshilltari për arsim Veysel Erdel dhe kryetari i Mësimdhënësve Turq të Kosovës, Akif Koro informuan për programet e trajnimit që planifikohen të organizohen në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit të Kosovës si mbështetje për ngritje profesionale të mësimdhënësve. U diskutua edhe për mbështetjen me tekste mësimore dhe mjetet tjera mbështetëse.
Gjatë bashkëbisedimit, mësimdhënësit në gjuhën turke shprehën nevojën për mbështetje me mjete teknologjike dhe mjete tjera mbështetëse me qëllim të ngritjes së kushteve për mësimnxënie, kurse para nxënësve me mësim në gjuhën turke u sqaruan programet e bursave për studime ne Turqi.




