Futboll

KF Llapi: Në Gjilan u dëmtuam rëndë

KF Llapi reagon fuqishëm dhe me shkas ndaj gjykimeve tendencioze dhe të përsëritura të gjyqtarit Egzon Dakaj
KF Llapi reagon ashpër ndaj gjykimit të njëanshëm dhe tendencioz të gjyqtarit kryesor Egzon Dakaj në ndeshjen e sotme Gjilani – Llapi, gjykim që cenoi rëndë integritetin e garës dhe ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar. Prej fillimit të sezonit 2025/26 kemi qëndruar të heshtur, edhe kur kemi qenë të dëmtuar, si në rastin ndaj Dritës kur Axel Gnapi bie pa ndjenja në tokë dhe futbollisti kundërshtar nuk u ndëshkua as me karton të verdhë, duke i marrë situatat si gabime njerëzore. Por ajo që ndodhi sot ishte e qëllimshme, e përsëritur dhe e papranueshme.
Vendimi për t’i dhënë karton të kuq kapitenit tonë, Axel Gnapi, ishte vendimtar dhe krejtësisht i padrejtë. Ndërhyrja në fjalë nuk ishte për karton të kuq, madje as për karton të verdhë, sipas vlerësimeve profesionale të gjyqtarëve ndërkombëtarë me stemën e FIFA-s, të cilët kanë parë videon e rastit. Ekspertët e jashtëm, plotësisht të paanshëm dhe pa asnjë lidhje me futbollin vendor, kanë konfirmuar se momenti nuk përbënte situatë për përjashtim nga loja. Dueli ishte i paqëllimshëm, në luftë të rregullt për topin, dhe në atë moment ka rrezikuar të lëndohej edhe kapiteni ynë, i cili pas kontaktit ka rënë keq në tokë. Në rastin konkret, e mira e së mirës është që si portieri i SC Gjilani, Vokli Laroshi, ashtu edhe kapiteni ynë Axel Gnapi kanë shpëtuar pa ndonjë lëndim të rëndë por kjo nuk nënkupton se momenti duhej domosdoshmërisht të ishte sanksionuar me karton të kuq, sepse të dy lojtarët kanë qenë të fokusuar te topi dhe jo te kontakti mes tyre.
Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se gjyqtari nuk mori vendim menjëherë, siç e kërkojnë rregullat, por pesë minuta më vonë, sikur të kishte marrë sinjale nga jashtë. Kjo e bën kartonin e kuq të duket si vendim i porositur dhe jo si autoritet i Egzon Dakajt në momentin e aksionit.
Edhe te goli i dytë i vendasve, gjyqtari Egzon Dakaj doli sërish në qendër të vëmendjes, sepse ndërhyrja ndaj futbollistit të Gjilanit nuk ka qenë faull. Loja duhej të vazhdonte normalisht, por ai ndërhyri duke akorduar një faull të paqenë, nga i cili më pas u zhvillua aksioni që përfundoi me gol. Një vendim i gabuar, me pasoja të drejtpërdrejta në rezultatin e ndeshjes.
Për më tepër, ky gjyqtar është i njohur për ndeshje të tilla dhe për vendime kontraverse në takime të rëndësishme dhe këtë e dinë të gjithë në futbollin kosovar. Nuk është hera e parë që Egzon Dakaj del në skenë pikërisht në ndeshje të rëndësishme për Llapin. Edhe para dy viteve, në ndeshjen vendimtare për titull kampioni Gjilani – Llapi, i njëjti gjyqtar u delegua dhe me vendimet e tij ndikoi drejtpërdrejt që Llapi të mos fitonte atë takim, duke prishur rrjedhën e garës për titull. Sot, historia u përsërit me të njëjtin skenar dhe të njëjtin person në qendër të vëmendjes.
Kërkojmë urgjentisht nga Komisioni i Gjyqtarëve dhe organet kompetente të FFK-së të hapin procedurë disiplinore ndaj gjyqtarit Egzon Dakaj, të analizojnë në detaje çdo vendim të tij në këtë ndeshje, në veçanti kartonin e kuq dhe rastin e golit të dytë dhe të marrin masa serioze për të mbrojtur integritetin e garës.
Ajo që ndodhi sot nuk është rastësi. Është përsëritje dhe është e papranueshme. KF Llapi nuk do të heshtë, sepse në fund të ditës, Egzon Dakaj dhe çdo gjyqtar i Superligës është i thirrur të gjykojë me drejtësi, jo të dalë në skenë me vendime të qëllimshme që prishin rrjedhën e ndeshjes dhe gjithë kampionatit.
KF Llapi,
Podujevë, 7 dhjetor 2025

You Might Also Like