Gjilan

Kida Gërguri: Nuk ka asnjë shkelje në projektin e shpërndarjes së 35 lopëve qumështore

Organizata për Zhillim Rural “Mëshqerra” ka demantuar disa media, të cilat e kanë vënë në pikëpyetje çmimin për krerë lope, tri ditë pasi Komuna e Gjilanit falë donacionit nga fermerët irlandez shpërndau 35 lopë qumështore për 35 fermerë të kësaj komune.

Florentina Kida Gërguri, drejtoreshë e OZhR “Mëshqerra”, përmes një sqarimi për publikun, thekson se informacionet dhe konstatimet e disa mediave janë të pasakta në këtë aspekt.

Ja sqarimi i plotë i OZHR “Mëshqerra”:

“Duke i parë komentet dhe qarkullimin e informacioneve të pasakta nëpër portale dhe rrjete sociale, si partneri kryesor i projektit të përbashkët nga lëmi e blegtorisë  me Komunën e Gjilanit, mbajmë përgjegjësi për këtë sqarim për publikun:

Projekti është realizuar në harmoni të plotë me marrëveshjen e bashkëpunimit nr.1138 të datës 20.11.2019, në mes të OZHR “Mëshqerra” dhe Komunës së Gjilanit dhe këtu nuk ka asnjë shkelje.

Projekti do të zgjas nga viti 2019 deri 2021 dhe vlera totale e tij është 101,500.00 €.

Vlera e  donacionit nga fermerët irlandez (35 krerë mëshqerra barrëse të racës Hollshtajn) është 59,500.00 €. Kjo është vlera e dhuratës që fermerët irlandez nëpërmjet organizatës ”Bothar” nga Irlanda ua dedikojnë fermerëve kosovar.

Komuna e Gjilanit  do të participojë me 28,000.00 €, mjete këto që sigurojnë transportin e gjedheve Irlandë – Kosovë, qëndrimin e mëshqerrave në karantinë si dhe monitorimin e projektit deri në vitin 2021.

Participimi i fermerëve është 14,000.00 € dhe këto mjete iu kthehen fermerëve në formë të koncentratit, shërbimeve veterinere, trajnime, vizita për fermerë etj.

Kemi nënshkruar kontrata individuale me secilin fermerë përfitues, ku në mënyrë të detajuar shënohen obligimet dhe përgjegjësit e secilës palë.

OZhR “Mëshqerra” gjatë kësaj periudhe do të zbatojë projektin me fermerët dhe do të sigurojë asistencë teknike për ta.

OZhR “Mëshqerra” gjatë realizimit të këtij projekti, do të përgatisë raporte për donatorin, Komunën dhe opinionin publik.

Për fund, jemi jashtëzakonisht të lumtur që iu kemi dalë në ndihmë fermerëve të Gjilanit dhe ky bashkëpunim Komunën do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thuhet në sqarimin e drejtoreshës së OZHR “Mëshqerra”, Florentina Kida Gërguri.

 

You Might Also Like