Sportet luftarake

Klubi i Xhudos Gjilani po arrin suksese të mëdha në arenën vendore e ndërkombëtare

Xhudo, sporti i cili më së shumti i ka sjellë medalje Kosovës në arenën ndërkombëtare, është bërë tejet i popullarizuar edhe në Gjilan, qytet në të cilin shumë të rinj merren me këtë sport. Gjithsesi se bartës i aktiviteteve në këtë sport në qytetin e Gjilanit është Klubi i Xhudos “Gjilani”, i themeluar në maj të vitit 2000.

Në këtë kohë, siç thekson Ibraim Hasani, nismëtarët për themelimin e klubit ishin kryetrajneri Ibraim Hasani e trajneri Femi Hoti, kurse më 2007 është themeluar edhe kryesia e klubit, ku kryetar është zgjedhur Esat Selimi e më 2024 këtij klubi i është bashkëngjitur edhe trajneri Drin Rexhepi.

Hasani thekson se për 25 vite me radhë nuk kanë munguar aktivitetet e këtij kolektivi të vyeshëm edhe pse klubi i xhudos shpesh ka vepruar në kushte shumë të vështira.

Me gjithë vështirësitë, Klubi i Xhudos Gjilani ka marrë pjesë në gara të ndryshme jashtë vendit, sikurse edhe në gara që i ka organizuar Federata e Xhudos së Kosovës, gjithnjë duke vepruar në përputhje me rregulloret e federatës.

Kryetrajneri Ibraim Hasani shton se tashti, Klubi i Xhudos Gjilani është një klub i strukturuar mirë dhe po merr pjesë kudo nëpër gara të ndryshme ndërkombëtare, duke sjellë nga to shumë medalje. Ai shton se këtë klub po e presin edhe shumë gara vendore e ndërkombëtare, andaj pret që edhe ndihma e sponsorëve dhe e përgjegjësve nuk do të ndihmojë, me të vetmin qëllim që të arrihen edhe më shumë medalje në këtë sport. /kryelajmi.com/.

You Might Also Like