(Rreth vëllimit poetik “Për dashuri kurrë s’është vonë” të Sabit Rrustemit, editoi Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, dhjetor 2017)
Dashuria, kjo ndjenjë sublime, kë s’e ka drithëruar, netëve pa gjumë. Kush nuk është ndjerë njëherë rob i saj?! A ka njeri që s’i ka lidhur bile dy fjalë për atë sëmbim zemre?! Ec e gjeje…! Pse, – dashuria të ngrohë kur të lëndon,pse – dashuriatë gëzon kur të përvëlon. Ta mbjellë dhembjen në mulla e s’e heq dot.
Për ditë e ujit rritjen e saj, e ajo zvogëlohet për një varg a një këngë më shumë. E kënga lindet e rritet e bën rrugë deri te prehri i saj. Pushon, miklon a përgjërohet, – është çështje e saj. Është e lirë të veprojë si të dojë. Me çiltërinë e saj pastaj shpërfaqet botërisht pa asnjë sekret, ashtu siç janë shpërfaqur poezitë, jo vetëm të këtij vëllimi poetik të Sabit Rrustemit.
Duke i lexuar poezitë jo vetëm të këtij vëllimi, dhe duke i rilexuar me sy kritik, si redaktor i librit, nuk e kam vështirë të konstatoj se Sabit Rrustemi është nga ata poet që për një jetë veprimtarie krijuese nuk ka reshtur së kënduari për ndjenjën më sublime – dashurinë. Dhe asnjëherë i përsëritshëm, asnjëherë i bezdisshëm, po gjithnjë i lezetshëm në lexim, intim në ndjenjë, e lirik në varg.
Kot lotuan zogjtë e Çepurit
Kot u shkundën e për toke u shtrinë
gjethet e zverdhura të stinës që iku
Buzët e mia të etura mbetën
Nën përcëllimat e zjarrit që s’u shua
(Nën përcëllimat e zjarrit që s’u shua)
Poezitë e këtij vëllimi poetik nuk është se poeti i kishte shkruar në rininë e tij, e tani po ia dhuron lexuesit si shpërblim për pritjen e gjatë. Përkundrazi. Poezitë kanë për datë shkrimi vetëm dy vitet e fundit: 2016 – 2017.
Cila është ndjenja e poetit? Në çfarë konsiston ajo? Pse në këtë moshë? A ka dallim moshe dashuria? Po poezia?
Janë edhe një varg pyetjesh, që edhe si të pashtruara egudulisin subjektiven e kritikut. Prandaj, kur të interpretohen poezitë me motiv dashurie të këtij poeti, dhe veçanërisht poezitë e krijuara kohëve të fundit,duhet pasur parasysh aspekti psiko-social, por jo duke ngritur probleme psikologjike dhe sociologjike në trajtimet e artit.
Në këtë kontekst, me patjetër duhet parë veprimet poetike të këtij autori, të cilat shënjojnë një kohë të pavarur, një kohë autoqefale, e cila drithërohet në çdo moshë njeriu:
Ky shpirt njeriu nuk qetësohet
Pa u zgjuar i blertë
Stinës që kthjellë e s’vranë
(Stinës që kthjellë e s’vranë)
Papjekuria e dashurisë rinore pikturohet me të trishtën, ndërsa pjekuria e matur doemos sikur gjakon të bukurën më përpara, të dëshiruarën edhe rastësisht. Mund të jetë kjo arsyeja që ky vëllim poetik ka mjaft elementë të një dashnierekuiem. Aty është vasha virtuale lozonjare shpeshherë, të cilën nuk e vizatojmë si emër, nuk e takojmë si fizik, e duam aq shumë, sa pajtohemi me të bukurën moshë se ka të drejtë të ruhet për tjera stinë:
Borë e akullt Çepuri sysh më varet
dhe kjo mjegull që ma err motin
a ti ikën me të pathënat
për tjera stinë ruhesh
(Më ndez e pathëna jote)
Duke trajtuar këtë motiv shpirtëror, ndër më të vjetërit në historinë e njerëzimit, në këtë vëllim poetik të Sabit Rrustemit, kushdo do të piketonte përkëdheljen e vargut si ndjenjë kushtimi për stinën që vjen pa të, e “Ç’stinë është kjo stinë që vjen pa Ty”? – do të pyes poeti.
Në gjykimin e tij për dashurinë e munguar shpërthen kujtimi për prekjet që flasin, për buzët, hyrje-daljet thellësive të pafundme. Ai sikur ka arritur atë që ka dashur sa shprehet qartazi: “aq më bën pse mbeta këndej lumit/e ti tutje në fund të horizontit” (Interemeco). Në poezinë tjetër, sërish del në pah koha që po ikën me shpejtësi. Kohë e pakët e mbetur që i digjet në Sy, edhe për një buzëqeshje, edhe për një dyshim takimi, që poeti e pret jo vetëm një ditë.
Papërgjegjësia gjykon dashurinë pa përgjigje, me nota keqardhjeje, sepse dashuria e personazhit lirik ngrihet përballë pesimizmit nëpërmjet dyshimesh të metaforizuara:
Vjeshta sa herë trokiti dhimbjeve të mia
Me riga të pandërprera shiu
Plagëve të qullura pikuan frutat e pa shijuara
E ti mbete diku përroskave të mia
Duke i numëruar ditët e humbura.
(Nëpër stinët e shpirtit tënd)
Rikthimi në Çepurin e tij biblik nuk bëhet për të kërkuar ndihmë, as për t’u braktis prej dritash neoni, as se e ka marrë malli për dy a tri gjethe të zverdhura, jo. Ai, poeti pra, ka guxuar që përmes shtegut të ëndrrës, të hyjë e të vallëzojë deri te sytë e saj. Ky është Çepuri që në veprimtarinë artistike të Sabit Rrustemit, si frymëzues merr trajtën e lirikut.
DHEMBJA POETIKE
Vargjet e këtij vëllimi shpeshherë janë të mbushur me ndjenjën e dhembjes poetike, jo me dhembjen si kategori estetike. Vetë dhembja te Sabit Rrustemi shpërfaqet e butë, paksa marramendëse, por jo e vrarë lie, sepse autori e ka veshur me lumturinë e imagjinuar. Ndryshe, dhembshuria e tërë poezive është çartur nga besimi se “Nuk ka portë/As aortë/Që s’hapet e s’pulson/Para kësaj dashurie” (Nën ritmin e kësaj dashurie).
Tjetër për tjetër mund të thuhet për të bukurën e takuar kudo dhe kurdo. Sepse, vetëm si e bukur ajo zgjon ndjenjën e të dashuruarit, dhe vetëm si e bukur ajo thërret përvojën e shthurrur për më shumë se një tekst a nëntekst krejt dashuri, që arrihet nëpërmjet funksionalizimit poetik të vetë gjuhës. Një imazh poetik që shprehet bukur si si një arie muzikore para furtunës së një opere:
Nën liqenet e blertë të fytyrës sate
Vallëzojnë ëndrrat e mia të djegura
***
Pa një fjalë të ëmbël
Përveç buzëve
Që digjesh etjesh brigjeve të mia
(Puthjet vetëtojnë kujtesave)
Poezia e dashurisë e Sabit Rrustemit është një klithje nga shpirtit i shqetësuar që reagon papajtueshëm me kuptimet e befasishme që u jep fjalëve-ide, të cilat qysh në bazë konceptohen kuptimisht herë si të afërta, e herë tjetër shumë të largëta:
E asnjë pikë shi nuk pikoi
Rreshkave të kësaj gjuhe
As edhe puthja jote
E sa stinë pritjeve të panumërta u harxhuan
(Rreshkave të kësaj gjuhe)
Prandaj, edhe ky vështrim kritik, tenton objektivitetin poetik që shkruhet jo për hatërmbetje, po për lirinë që ekziston në imagjinatën e vetë poetit. Prej së cilës imagjinatë, del një opus krijues, që tashmë përfshin, sipas gjitha gjasash mbi njëmijë poezi dashurie. Kështu, ky poet ka arritur ta absolutizojë epitetin “dashnor i motivuar në kohë të etur”, si një lajtmotiv për të kallëzuar se i ka ngritur monument dashurisë.
Poezitë e këtij motivi, pak si tërthorazi falënderojnë gruan, e këtë konstatim nuk ka sesi të mos e fuqizojmë sepse ajo ka ditur guximshëm t’i qëndrojë në krah poetit bashkëshort. Dhe, shumë sigurt, ajo nuk u ngërdhesh as edhe njëherë për poezitë e motivuara plot dashuri se e ndjeu vetë dashurinë e bashkëshortit. Ka mjaftuar vakia më e thjeshtë: edhe një mërrolje, a një bishtnim shikimi, që sot të mos kishim në dorë këtë vëllim poetik. Sa fisnike janë gratë e poetëve të mëdhenj!
Në mbyllje të këtij shkrimi, pas përvojës së përftuar estetike nga leximi i poezive, nuk mund e të mos konstatoj se këtij libri, që doli mu në Dyzetvjetorin e krijimtarisë së poetit, do t’i shkonte për qejfi një piano e vjetër, me një këngëtare të re, e cila, barin e thatë do ta bleronte në vjeshtën e vonë si një pamje poetike derdhur në notat muzikore.