ARSIMI

Komiteti i Arsimit shprehet i pakënaqur me suksesin e gjysmëvjetorit të parë

Komiteti për Arsim (KA) është shprehur i pakënaqur me suksesin e nxënësve të Gjilanit, në gjysmë vjetorin e parë, sikurse edhe me numrin e mungesave të përgjithshme, të cilat kanë shënuar rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Nga 17.664 nxënës, sa kanë vijuar gjysmë vjetorin e parë në tri nivele të shkollimit, me sukses pozitiv kanë dalë 13.980, ose mbi 79 për qind, 45 për qind prej tyre – të shkëlqyeshëm. Të pa notuar, për arsye të ndryshme, rezultojnë 89 nxënës.
Nota mesatare e suksesit të gjysmë vjetorit të parë, që është arritur në shkollat e Gjilanit, nga niveli 1-12 i arsimimit, është 3.61. Rezultatet më të mira janë arritur në nivelin 1-5, ku mbi 99 për qind e nxënësve kanë dalë me sukses pozitiv, 80 për qind në nivelin 6-9 dhe 54 për qind në nivelin 10-12.
Numri i mungesave të nxënësve arrin në 101.506, ose më tepër se 5 mungesa secili prej nxënësve. Të arsyeshme janë 54.024 mungesa, kurse të tjerat, të paarsyeshme.
Shqipe Kastrati, drejtoreshë e Arsimit, ka thënë se në arsim mund të bëhet më tepër sa i përket cilësisë, megjithëse nuk duhet harruar faktin që nxënësit tanë kanë arritur rezultate mjaft të mira në gara të ndryshme ndërkombëtare, ka thënë ajo.
Ndërkaq për rritjen e numrit të mungesave, sipas raporteve nga shkollat, shkaktarë ka qenë gripi, ka thënë ajo.
Sa i përket konkursit për pranim të mësimdhënësve, kritereve që janë zbatuar si dhe përbërjes së komisionit, ku opozita ka bërë më së tepërmi vërejtje, Kastrati ka thënë se janë zbatuar vetëm kriteret bazike, ndërkohë që ka dhënë sqarime edhe në rastet konkrete, të cilat i kanë ngritur Shukrije Rapuca e Leonora Bunjaku (PDK) e Fehmi Sylejmani (VV).
Kryesuesi Arben Mehmeti ka kërkuar nga anëtarët e Komitetit që të kursehen nga akuzat politike, të cilat janë të zakonshme në një vit zgjedhor, duke theksuar se kjo trupë komunale, megjithatë ka bërë punë të mirë në këtë sektor, përmes shqyrtimit të çështjeve konkrete si dhe rekomandimeve që ka bërë për çështje të caktuara.
Për më tepër, ai ka thënë se në arsim ka pasur përherë probleme, për çka, atij si përfaqësues ligjor i Komunës, po i duhet të përballet në gjyq me raste të shkeljeve që kanë ndodhur në qeverisjen e kaluar.
Shukrije Rapuca (PDK) ka thënë se komisioni ka qenë partiak dhe se ka favorizuar kandidatët e caktuar, edhe pse, sipas saj, në disa raste nuk i ka plotësuar kushtet më mirë se një kandidat që është refuzuar.
Ky komision, sipas Fehmi Sylejmanit (VV), jo vetëm se ka qenë partiak dhe jo profesional, por edhe i jashtëligjshëm dhe për këtë, përgjegjësi ka edhe DKA-ja, ka thënë ai. Sa i përket suksesit të nxënësve, ai ka thënë se raportit i mungon analiza e gjendjes.
Ndërkaq, Leonora Bunjaku, pos që u pajtua me vërejtjet e kolegëve të saj, ka thënë se personalisht ka qenë kundër vlerësimit të njëjtë të përvojës dhe kohës së pritjes, sepse këto dy kritere nuk mund të jenë të  barabarta.
Mendim ndryshe rreth këtij kriteri ka pasur Ajtene Shahiqi (AAK), e cila ka thënë se nuk duhet t`i bëhet padrejtësi në vlerësim as atij që nuk ka pasur mundësi të punësohet dhe të arrijë përvojë e nevojshme.
Idriz Ramadani (LDK) ka thënë se në këto kushte kur kërkesat për punësim janë të mëdha, ndërsa mundësitë janë të vogla, është normale të ketë edhe pakënaqësi e reagime. Sipas tij, ata që bëjnë lëshime në punësim dhe për faj të tyre Komuna humb një gjyq, duhet të detyrohen të paguajnë vetë kompensimin.
Kurse Arta Hyseni (LDK) ka thënë se suksesi në arsim mund të përmirësohet nëse themelohen klubet e cilësisë, ku mund të orientohen nxënësit tanë, në vend se të përqendrohen te rrjetet sociale dhe shtypi rozë.

 

 

You Might Also Like