Gjilan

Komuna e Gjilanit vazhdon aktivitetin për shpërndarjen e dhuratave për fëmijë

Gjilan, 27 dhjetor 2018 – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i shoqëruar nga kryesuesja e Kuvendit dhe drejtori i shëndetësisë, kanë bërë sot shpërndarjen e dhuratave të vitit të ri, për fëmijët në qendrën “Liria”, “Pema” dhe për fëmijët që janë duke u trajtuar në Spitalin Regjional të Gjilanit, për t’u ofruar atyre sadopak ngrohtësinë e festave të fundvitit.

Delegacioni i kryesuar nga nënkryetari Ismajli, kishte me vete babadimrin që përpos dhuratave fëmijëve u ka dhënë edhe gëzimin e madh me prezencën e tij në këto tri qendra të përkujdesjes sociale e shëndetësore.

Në fjalën e tij nënkryetari Arbër Ismajli, ka thënë se dhuratat simbolike për fëmijët e Gjilanit, janë iniciativë e kryetarit Lutfi Haziri, që të gjithë fëmijët të marrin nga një dhuratë simbolike e cila do të mbetet në kujtesën e fëmijëve si moment i bukur gëzimi.

“Këto janë dhurata shumë të vogëla në krahazim me atë që meritojnë këta fëmijë. Kjo është më e pakëta që mund të bëjmë për këta fëmijë. Urojmë bashkërisht që viti tjetër të jetë me një fokus të veçantë për fëmijët në përgjithësi”, ka thënë nënkryetari Arbër Ismajli.

Edhe përfaqësuesit e institucioneve, kanë shprehur falënderimet e tyre për gëzimin që sot i kanë dhënë fëmijëve duke potencuar se dhuratat dhe kujdesi i treguar janë një motiv për familjarët e këtyre fëmijëve dhe e padiskutueshme për fëmijët, të cilët me shumë gëzime presin momentet e tilla.

You Might Also Like