Paralajmërimet për reshje të mëdha shiu, të cilat mund të shoqërohen edhe sasi të mëdha të ujërave kanë mobilizuar udhëheqjen komunale, e cila ka nxjerrë ekskavatorët në terren dhe po punojnë me të madhe në evitimin e vërshimeve të mundshme.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se janë evidentuar vendet me rrezik më të lartë për përmbytje nga vërshimet, andaj ekipet kanë dalë në terren në lirimin e shtretërve të lumenjve dhe përroskave.
Një kërkesë të tillë kishte patur edhe Albin Devaja, i cili kishte apeluar te zyrtarët komunalë që të ndërmarrin ndonjë aksion në lumin Stanishorka, pasi që siç kishte shkruar ai kundërmimi është i padurueshëm dhe se në këtë javë kur priten reshje të mëdha mund të ndodh ndonjë vërshim i paparashikueshëm, i atillë çfarë kishte ndodhur në janarin e vitit 2021.
Komuna edhe në këtë rast ka intervenuar dhe ka sanuar gjendjen sadopak, por siç thekson Albin Devaja do të ishte shumë mirë nëse sa më shpejt do të niste rregullimi i shtratit të lumit Stanishorka, i cili përfundimisht do të zgjidhte këtë problem./kryelajmi.com/.