Sport Club Gjilani njofton opinionin publik dhe gjithë tifozët se, me kërkesë të vet futbollistit, është mbyllur bashkëpunimi me Aridon Bllacën.
Aridon Bllaca ka qenë pjesë e pandashme e Sport Club Gjilani që nga viti 2016, kur hapi hapat e parë të karrierës së tij futbollistike në Shkollën e Futbollit të klubit. Përmes përkushtimit, disiplinës dhe punës së vazhdueshme, ai arriti të rritej profesionalisht dhe të bëhej pjesë e rëndësishme e ekipit të parë, duke mbajtur me krenari fanellën kuqebardhë për disa sezone me radhë.
Gjatë gjithë rrugëtimit të tij në klub, Bllaca u dallua për angazhimin dhe korrektësinë e treguar brenda dhe jashtë fushës së lojës, duke qenë shembull i një futbollisti që u formua dhe u zhvillua brenda familjes “kuqebardh”.
Sport Club Gjilani shpreh mirënjohjen e saj të thellë ndaj Aridon Bllacës për kontributin e dhënë ndër vite dhe i uron atij shëndet, suksese dhe arritje të reja në vazhdimin e karrierës së tij sportive, si dhe në çdo sfidë që e pret në të ardhmen.
Zyra për shtyp,
24 Dhjetor, 2025





