Konferenca Vjetore Shkencore Ndërkombëtare “Identiteti Shkencor dhe Kreativiteti në një Botë të Ndryshuar”, organizuar nga Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka mbledhur personalitete të njohura nga shkenca si Akademikë, profesorë universitar nga universitete të njohura si Riga (letoni), Barcelona (Spanje), Izmiri (Turqi), Universiteti i Qipros etj., por edhe profesorë dhe studiues të rijnë nga vendi, rajoni dhe Evropa.
Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, prezantoi Komunitetin e Kërkimit dhe Zhvillimit shkencor të Konferencës, ku panelist ishin Akademik Shinasi Sinani nga Shqipëria, Prof.Dr. Yuly Venegas nga University of Lleida, Spanjë, Akademik Fejzullah Krasniqi nga ASHK të Kosovës.
Hapjen e Konferencës e bëri Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Dr. Bajra Kosumi i cili përshëndeti të pranishmit duke ju uruar mirëseardhje në konferencë. Rektori tha se kjo Konferencë që na ka mbledhur sot, është e orientuar në dinamikën e teknologjisë së informimit, të arsimit, të hulumtimit shkencor , të tregut global. Rektori tha se arsimi është një proces i reformimit të përhershëm, ku teknologjia digjitale e ka globalizuar shoqërinë dhe tregun e punës, e cila krijon një konkurrencë tepër të lart globale për një vend të punës. Ai ka shtuar se një pjesë e madhe e të diplomuarve rrezikojnë të mbesin pa një vend pune, andaj sipas Rektorit Kosumi, Universiteti nuk mund te vazhdoj me profilin tradicional, sepse Universiteti prodhon studentë për tregun punës dhe kjo konferencë është ndihmesë në këtë drejtim.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, në fjalën e tij, ka uruar për Konferencën, ndërkohë ka thënë se komuna ka interes ta zhvilloj zonën ekonomike sidomos zhvillimin e arritjes së dijës. Kryetari tha se digjitalizimin e kemi po ashtu prioritet, që është e ardhmja që duhet të orientohemi domosdoshmërisht. Në organizimin e kësaj konference, ka shtuar kryetari Hyseni, ka shumë rëndësi identifikimi i barrierave, sepse këto sfida janë të përbashkëta dhe duhet bashkërisht ti trajtojmë.
Rektori i Universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Skënder Topi, pasi përshëndeti të pranishmit, tha se Shqipëria jonë e madhe ka një problem shumë të madh, siç është emigrimi i trurit.
Sipas tij, në një hulumtim që ka bërë Fondacioni Shqiptar Amerikan, ka evidentu se në të gjithë botën janë mbi 4 mijë kandidat PHD shqiptarë dhe ne duhet fondacion ta mbështesim në mënyrë që eksperiencën e tyre që kanë ata në gjithë universitetet, le ti kemi pjesë nëpër universitetet tona, të vijnë e të japin kontribut tek ne. Ai ka shtuar se Universitetet shqiptare duhet të krijojnë një Erasmus brenda Ballkanit, duke përfshirë, Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë, e të organizojmë kësi lloj konferenca të përbashkëta.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Naser Sahiti, pasi ka uruar për Konferencën, theksoi se disa prej temave siç është çështja e interdicipliares, ikja e trurit apo edhe digjitalizimi janë koncepte themelore, janë gjëra aktuale për të cilat konferenca do të jep indikacione se si do të jetë në kuadër të zhvillimeve tona.
Rektori i Universitetit të Gjakovës, Dr. Sc. Dr Artan Nimani, pasi uroi për Konferencën, tha se ky organizim i sotëm është një hap i mirë për ngritjen e avancimit shqiptar dhe kështu së bashku mund të ecim përpara.
Urimet për punimet e Konferencës , me nga një fjalë rasti të pranishmëve ju është drejtuar edhe Drejtor Ekzekutiv i Kolegjit Universum, Alejtin Berisha dhe Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj z. Agron Bajraktari.
Pas hapjes së Konferencës, filloi Sesioni Plenar, i cili nisi nga lidhja direket në kyçje online e, Prof. Dr. Linda Daniela nga Universiteti i Rigës Letoni me temën “Pedagogji e zgjuar për të përmirësuar teknologjinë”.
Akademik Shaban Sinani nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, është paraqitur me prezantimin “Vete identifikimi etnik, gjuhësor dhe fetar si çështje shkencore”.
Prof. Dr. Tasos Hovardas nga Universiteti i Qipros, ka paraqitur punimin “Edukimi i integruar STEAM dhe udhëheqja e shpërndarë – Një simbiozë e pashmangshme”.
Prof. Dr. Danilo Nikolic nga Universiteti i Malit të Zi, ka paraqitur punimin “Ndërkombëtarizimi si qasje strategjike për forcimin e konkurrencës në Institucionet e Arsimore te Lartë (IAL) në vendet e Ballkanit Perëndimor (WBC)”.
Prof. Dr. Joaquim Gimenez Rodriguez nga Universiteti i Barcelonës, Spanjë, është paraqitur me punimin “Nevoja e gjeometrisë krijuese për mësuesit e shkollave fillore”.
Akademik Gëzim Hoxha , Akademia e Shkencave të Shqipërisë, është paraqitur me temën, “Ulpiana – Justiniana Secunda, një identitet shkencor me të dhëna të reja historike dhe arkeologjike”.
Akademik Fejzullah Krasniqi, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, është paraqitur me punimin, “Kushtet e komoditetit të brendshëm terminal të njeriut”.
Pas këtyre me propozim të Këshillit Organizativ të Konferencës dhe me vendim të Rektorit të UKZ-së, Prof. Dr. Bajram Kosumi, është dhënë Çmimi i Konferencës Vjetore të UKZ “Marin Barleti” për Prof. Dr. Danilo Nikolic nga Universiteti i Malit të Zi. Ky çmim i dedikohet arritjeve akademike në arsimin e lartë, kontributeve thelbësore kërkimore, çështjeve të reja, ideve, bashkëpunimit dhe perspektivave ndërkombëtare. Konsiderata shtesë përfshijnë rolet e lidershipit, si dhe marrëdhëniet aktuale apo potenciale ndërmjet kërkimit të bërë dhe përmirësimit të arsimit të lartë në përgjithësi, nëpërmjet lidhjeve ndërmjet studiuesve dhe IAL-ve në vende të ndryshme me Universitetin Publik “Kadri Zeka”.
Konferenca dyditore e UKZ-së “Identiteti shkencor dhe kreativiteti në një botë të ndryshuar, kombinon shënimet kryesore frymëzuese, një shumëllojshmëri të gjerë të punimeve mbi kërkimin dhe praktikën e fushave të ndryshme – informatikë, matematikë, arsim, drejtësi dhe ekonomi, të cilat zhvillohen në sesionet paralele të Konferencës në një atmosferë stimuluese dhe miqësore.
Konferenca do ti vazhdojë punimet edhe nesër, 31 maj 2022 , duke ofruar pjesëmarrje me prezantime të rezultateve të kërkimit në një nga 5 sesionet e konferencës që mbahet në hapësirat e Universitetit:
- Konferenca DiGiDay, salla A02 ora 09:00-09:30 / Sfidat aktuale në dixhitalizim
- Konferenca e MathDay, salla A11 ora 09:00-09:30 / Kërkimet aktuale në matematikë
- Konferenca EduDay, salla A13 ora 09:00-09:30 / Sfidat aktuale në arsimin shkollor
- Konferenca e Ekonomisë, salla B01 ora 09:00-09:30 / Mundësitë dhe sfidat për Zhvillimin Ekonomik në BB
- Konferenca e Drejtësisë, salla A34 ora 09:00-09:30 / Drejtësia pozitive dhe shteti ligjor.