Sportet me dorë

Kosova me përfaqësim dinjitoz në arbitrimin ndërkombëtar – Kurtalani vlerësohet në Danimarkë

Pjesëmarrja e gjyqtarëve të Kosovës në turneun ndërkombëtar të basketbollit “Copenhagen Invitational 2025” që u zhvillua në Danimarkë, konfirmoi edhe një herë përkushtimin e Federatës së Basketbollit të Kosovës për ngritjen dhe promovimin e gjyqtarëve në skenën evropiane.

Në mesin e gjashtë gjyqtarëve që përfaqësuan Kosovën, ra në sy performanca e jashtëzakonshme e gjyqtarit të Superligës së Kosovës, Arian Kurtalani nga Gjilani.

Ky turne i mirënjohur nga FIBA Europe është një ndër eventet më të mëdha dhe më prestigjioze për grupmoshat U13, U14 dhe U15, ku morën pjesë 48 skuadra nga 13 shtete të ndryshme me gjithsej 555 lojtarë. Në 120 ndeshje të zhvilluara u angazhuan mbi 30 gjyqtarë nga mbarë bota.

Për tri ditë me radhë, gjyqtarët nga Kosova dhanë një performancë të lartë profesionale që la mbresa të thella tek organizatorët. Ndër ta, Arian Kurtalani vazhdoi të dëshmojë se është një emër i respektuar në fushën e arbitrimit.

“Ishte një event i madh i basketbollit, dhe jam thellësisht i nderuar që isha pjesë e tij. Falënderoj nga zemra krerët e Federatës së Basketbollit të Kosovës që më dhanë këtë mundësi për të përfaqësuar Kosovën në një turne kaq të rëndësishëm dhe për të avancuar më tej në karrierën time profesionale.”, – theksoi Kurtalani.

Gjatë kampit, përveç ndeshjeve, u zhvilluan edhe sesione trajnuese dhe analiza me përmbajtje të avancuar teknike. “Në këtë turne kishim instruktorë me famë ndërkombëtare, siç ishte Oskar Lucis nga Letonia, i cili ishte përgjegjës për strukturën, përmbajtjen dhe nivelin teknik të klinikës. Për tri ditë me radhë, zhvilluam analiza video nga shtatë grupe të gjyqtarëve, ku secili grup punonte mbi dy klipe të lojës. Kjo na ndihmoi jashtëzakonisht shumë në përmirësimin e vlerësimit dhe vendimmarrjes në terren.”, – ka shtuar ai.

Në mesin e ligjëruesve ishin emra të njohur të arbitrimit ndërkombëtar si Gatis Salins (Letoni), gjyqtar olimpik; Tanel Suslov (Estoni), gjyqtar në BCL dhe FIBA Europe Cup; si dhe Juozas Barkauskas nga Lituania, të cilët ndanë përvojën dhe njohuritë e tyre për ngritjen profesionale të gjyqtarëve.

Puna e Kurtalanit u vlerësua lart nga organizatorët, duke i besuar drejtimin e ndeshjes për medaljen e bronztë në kategorinë e femrave U13 mes BK Amager nga Danimarka dhe Vilnius Basketball School nga Lituania.

“Ishte nder dhe kënaqësi e madhe për mua që më është besuar një ndeshje kaq e rëndësishme. Këto janë momente që të japin forcë dhe vullnet për të vazhduar punën me përkushtim dhe profesionalizëm. Edhe një herë, falënderoj FBK-në dhe kolegët e mi me të cilët kaluam momente shumë të bukura në këtë kamp. Kjo përvojë është një avancim i madh për mua dhe për gjyqësinë kosovare në përgjithësi.”, – ka theksuar Kurtalani.

You Might Also Like