Gjilan

Kranidelli në Malësi të Dardanës josh me bukuritë që ka

Kranidelli, fshat në Malësinë e Dardanës ka kohë që është braktisur nga banorët. Pak familje kanë ngelur të banojnë në këtë fshat, që është i tipit të shpërndarë, në një lartësi mbidetare të lartë, por me shumë bukuri natyrore. Në lagjen e SeIishtajve në Kranidell, pamje mahnitëse ofron Malësia e Dardanës, prej aty mund të shohësh shumë fshatra, që nga komuna e Artanës, ajo e Gjilanit, bile edhe më larg, sikurse që nëse ngjitemi në kodrën më të lartë të quajtur Pllanica, mund të shihen edhe fshatrat që kanë ngelur matanë kufirit, deri te vendi që popullata e njeh me emrin Sitilia, që është pak mbi qytetin e Vrajës.

Ky vend, ofron shumëçka, kurse mundësitë  e mira për bjeshkatarë, adhurues të natyrës, gjahtarë dhe aktivitete të tjera, i kanë shfrytëzuar edhe atletët e Klubit të Atletikës Rogana, të cilët të prirë nga Zijadin Kryeziu, rrëzë Kodrës Pllanica, kanë ndërtuar një qendër pushimi për atletë, e ndërtuar me shije, ku atletët pas përgatitjeve mund të pushojnë deri në stërvitjen e radhës.

Malësia e Dardanës, gjegjësisht Kranidelli, nuk është i njohur vetëm për bukuritë natyrore që ofron, por është vend ideal edhe për blegtori, ngase ka kullosa të shumta.

Ramadan Selishta nga fshati Kranidell, bashkë me familjen e tij nuk veproi si familjet e tjera që dolën në rrafsh për të jetuar. Ai me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë ka ndërtuar një stallë të gjedhëve dhe në Kranidell ushtron biznesin e tij.

“Për momentin kam 35 lopë e viça. Fermën e pata hapur para dy viteve, me një bashkëfinancim të Ministrisë së Bujqësisë dhe financim timin. Më shumë gjedhët i mbaj për mish se sa për qumësht.  Kam disa lopë qumështore, por ato më tepër i mbaj për nevoja të familjes, kurse më shumë lopët qumështore ushqejnë viçat e tyre”, thotë Ramadan Selishta, nga fshati Kranidell, i cili i rrit gjedhët dhe më pas i shet në treg, apo i shet për mish.

“Kam pajisjet e duhura bujqësore e blegtorale, kam stallën moderne, plevicën për ushqim të kafshëve, sikurse që kam edhe pajisjet tjera përcjellëse”, thotë Ramadan Selishta, që me përpikëri i është përshtatur projektit të ministrisë, të cilin e ndihmojnë djemtë e tij, por edhe nipat që vijnë nga Gjilani, si Samiu, Hasimi e të tjerët, që zakonisht shkojnë në fshat gjatë verës, kur është koha e kositjes, bartjes dhe veprimeve të tjera.

Këtë fundjavë, Samiu dhe Hasimi me vete kishin marrë edhe shoqërinë e tyre në fshat, me qëllim që edhe atyre t’ua tregojnë bukuritë e kësaj ane, por edhe me jetën që bëhet në këtë fshat dhe fshatrat përreth. Dhjeta kilometra ecje në këmbë, do të mbetën gjatë në mendjet e tyre, kurse Kranidelli e Malësia e Dardanës mbetën vend që duhet vizituar edhe nga të tjerët.

You Might Also Like