Gjilan

Kryetari Alban Hyseni vizitoi maturantët e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, i shoqëruar nga drejtorët Shpend Nuhiu, drejtor i Arsimit, Kushtrim Zeqiri, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, Hekuran Rapuca, drejtor i Shëndtësisë si dhe zyrtarë të drejtorisë së Arsimit kanë vizituar maturantët e Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, të cilët për tri ditë me radhë kanë qëndruar në ekskursion në Shqipëri, kësaj radhe me financim të komunës, shkruan kryelajmi.com.

Kryetari Hyseni, u ka uruar qëndrim të këndshëm në Shqipëri, duke i uruar ata për sukseset e arritura gjatë shkollimit trevjeçar në gjimnaz, por edhe duke kërkuar nga ata që të punojnë sa më shumë në studimet e ardhshme që i presin.

Drejtoria e shkollës, në krye me Bekim Mustafën, drejtor në Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” e ka falënderuar kryetarin Hyseni për këtë vizitë dhe mbështetje që i ka dhënë maturantëve dhe gjimnazit. Mustafa ka thënë se gjatë këtyre tri ditëve të ekskursionit kanë vizituar Durrësin, Tiranën, Krujën e Vlorën dhe monumentet historike që kanë këto qytete, sikurse që janë njohur me trashëgiminë kulturore e shpirtërore që ka Shqipëria.

Ai gjithashtu ka patur një vlerësim të lartë për sjelljen dhe kulturën që kanë treguar nxënësit gjatë ekskursionit, duke vlerësuar se kjo do të mbetet gjatë në kujtesën e tyre./kryelajmi.com/.

You Might Also Like