Gjilan

Kryetari Hyseni: Asnjë tregtar nuk duhet të përjashtohet nga hapësira e tregut

Gjilan, 14 dhjetor 2021/ Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka vizituar sot edhe Ndërmarrjen lokale ‘Tregu’, ku nga drejtori Avdyl Jerliu është njoftuar me punimet që janë kryer deri tani dhe ato që duhet të kryhet më tej në kuadër të projektit për rregullimin e kësaj hapësire si dhe ka dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet e tregtarëve të cilët zhvillojnë aktivitet në këtë lokacion.

Gjatë bashkëbisedimit me drejtuesit e kompanisë, Hyseni tha se duket që ka pasur një ngutje në përurimin e projektit, sepse ende ka punë të papërfunduara.

‘Me sa kam kuptuar unë, këtu tani ka rreth njëzet lokale më pak se sa që ka tregtarë, që për bindjen time është problem serioz në një projekt kapital, sepse si duhet të vendosim tani kush merr lokal e kush jo. Nuk dua me qenë ai që e përjashton dikë prej tregut’, ka thënë Hyseni.

Po ashtu, ai e nënvizoi në këtë takim edhe çështjen e reduktimit të tezgave, problemin e dyshemesë si dhe cilësinë e punimeve në tërësi.

‘Shumica e tregtarëve këtu punojmë më se njëzet apo tridhjetë vjet dhe ka prej tyre që më parë kanë pasur deri në pesë tezga, ndërsa tani do të kenë vetëm një. Ky do të jetë problem për vazhdimin e veprimtarisë së tyre’.

Kryetari Hyseni tha se duhet parë mundësitë për rritjen e hapësirave për tregtarë, në mënyrë që askush të mos përjashtohet nga tregu, duke paralajmëruar kësisoj një takim të përbashkët me drejtues të ndërmarrjes dhe tregtarët, për t`i biseduar të gjitha problemet dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të përshtatshme për të gjithë.

You Might Also Like