OPINION

KUJT PO I SHËRBEN FRYMA ANTIKOMBËTARE

Trimrron Rexhepi

Ka momente në historinë e një populli kur dhimbja nuk vjen nga armiku i jashtëm, por nga ftohtësia e brendshme, nga ata që, në emër të “kritikës” apo “lirive demokratike”, relativizojnë sakrificën dhe zbehin themelet mbi të cilat është ngritur shteti.

Kosova nuk është thjesht projekt politik. Është plagë e shëruar me gjak. Është amanet i trashëguar nga breza që nuk patën luksin e neutralitetit. Prandaj, kur sot dëgjojmë zëra që tentojnë të vendosin në peshore luftën çlirimtare me narrativat e ish-regjimit jugosllav, nuk kemi të bëjmë më me mendim kritik, por me një frymë që rrezikon të deformojë vetëdijen kolektive.

Rastet si i Shkëlzen Gashit dhe Rron Gjinovcit apo Veton Surroit nuk janë thjesht qëndrime individuale. Ato përfaqësojnë një rrymë që, me vetëdije apo jo, ushqen nostalgji të rrezikshme për një sistem që për shqiptarët ishte sinonim i shtypjes. Kur këto qëndrime jo vetëm tolerohen, por edhe legjitimohen në mënyrë indirekte nga pushteti, si në rastin e heshtjes apo relativizimit nga Albin Kurti, atëherë dilema nuk është më morale, por politike dhe kombëtare.

Shteti nuk ndërtohet vetëm me institucione, por me kujtesë. Dhe kujtesa nuk është luks që mund të negociohet sipas interesit të ditës, është boshti i identitetit. Kur ky bosht lëkundet, rrezikon të shembet vetë kuptimi i lirisë.

Nuk mund të ketë barazi mes atyre që luftuan për ekzistencë dhe atyre që e mohonin atë. Nuk mund të ketë relativizim të një lufte që ishte përgjigje ndaj padrejtësisë sistematike. Dhe mbi të gjitha, nuk mund të ketë tolerancë ndaj një diskursi që, në thelb, i shërben narrativave që historikisht kanë synuar zhdukjen e zërit shqiptar.

Kjo nuk është thirrje për heshtje, është thirrje për përgjegjësi, ngase liria e fjalës nuk është licencë për të deformuar të vërtetën. Është obligim për ta mbrojtur atë.

Në fund, pyetja mbetet e rëndë, por e domosdoshme:

Kujt po i shërben kjo frymë antikombëtare?

You Might Also Like