OPINION

Nga 1 janari 2021 arkat fiskale nga shteti

Autor: Msc. Skender Berisha

Procesi i fiskalizimit të aktiviteteve biznesore në Kosovë ka kohë që ka filluar dhe përfunduar njëkohësisht. S’do mend se dështimi u vërejt që në fillim të organizimit të paisjes me këto arka fiskale, duke nisur nga mënyra e shitjes, qmimit marramendës, me ç’rast disa nga bizneset që u kishte ardhur te “hunda” presioni nga ATK-ja u detyruan të pajisen me to, ndërsa të tjerat u lanë të zhvillojnë aktivitetin e tyre biznesor pa ndonjë problem. Dihet qartë se disa nga ndërmarrjet edhe pas pajisjes me arka fiskale nuk e praktikojnë lëshimin e kuponëve fiskal. Sidoqoftë, aktivitetet biznesore nuk duhet vështirësuar të ushtrojnë veprimtaritë e tyre edhe ashtu në një ambient jo edhe aq të favorshëm. Megjithatë, në Kosovë biznesi po mundohet të funksionojë duke kryer edhe obligimet ndaj shtetit, ashtu sikurse i’u është lejuar dhe mundësuar të deklarojë. Por, tani kemi një situatë më ndryshe, shteti është goditur nga pandemia, pasojat do të jenë afatgjate, dhe vështirësitë për t’i dalë në ndihmë secilit që ka nevojë për ndihmën e shtetit janë evidente. Tani qeveria duhet të fillojë të mendojë për vitet në vazhdim. Njëra nga mënyrat më të mira të qëndrueshmërisë financiare afatgjate dhe ndihmës së shtetit ndaj qytetarëve dhe biznesit kur është nevoja, por edhe vendi të marrë rrugën e zhvillimit për vitet e ardhshme është pajisja e secilit biznes me arkën fiskale. Cila është mënyra më e mirë për t’i pajisur aktivitetet biznesore në Kosovë? Në Kosovë ka relativisht shumë biznese të regjistruara, të cilat një pjesë e madhe e tyre kanë qenë të regjistruara dhe asnjëherë nuk kanë ushtruar veprimtaritë e tyre, ngase për qëllime nga më të ndryshmet janë regjistruar në ATK dhe kanë mbetur pasive. Por, pjesa e ndërmarrjeve aktive që veprojnë dhe funksionojnë, mundohen të kontribuojnë me obligimet e tyre ndaj shtetit. Prandaj, duhet një veprim edhe në këtë fushë, që manipulimi dhe regjistrimi i bizneseve pa aktivitet të ketë një limit dhe mos të ketë numra në letër por të përmirësohet hendeku ligjor, duke shtuar kujdesin më tepër për bizneset që operojnë dhe krijojnë vende të reja të punës. Por, thelbi është diku tjetër. Pajisja e ndërmarrjeve me arkat fiskale. Cila do të ishte rruga më e mirë për t’i obliguar ato të jenë nën ombrellën e shtetit. Shteti duhet t’u dhurojë arkën fiskale me afat pagese deri në 2 vite secilit që ushtron aktivitet biznesor, por edhe mundësinë e pagesës së menjëhershme me një zbritje prej 20% të qmimit. Lehtësime duhet të ketë edhe për bizneset që janë pajisur me arka fiskale. Brenda dy viteve tu rimbursohen 20% e mjeteve që kanë shpenzuar për arkën fiskale që nga viti 2021, me ç’rast të krijohet një balanc i përafërt rrjedhës së parasë.

Sa i përket qytetarëve, duhet që edhe ata të motivohen për të kërkuar kuponin fiskal. Për ta të krijohet një fond i veqantë për mbledhjen e kuponëve. Në 2 vitet e ardhshme të fillojë aplikimi i shpërblimit të mbledhjes së kuponëve, dhe shpërblimi i kuponëve që dëshmon blerjet e prodhimeve vendore të jetë më i lartë 50% krahas produkteve të importuara, njëkohësisht shpërblimi për informata ndaj atyre që nuk lëshojnë kuponë fiskalë të jetë më motivues. Duhet gjithashtu të ndryshojë tretmani për bizneset që refuzojnë të lëshojnë kuponë fiskalë, por edhe ndaj qytetarëve që nuk marrin kuponin kur shpenzojnë. Problem tjetër në Kosovë që duhet të ketë trajtim nga ekspertët e fushës, ATK dhe Komunat është edhe tatimi në qira. Duhet të fillojë zbatimi më rigoroz i tatimit në fitimet kapitale me rastin e shitblerjes së tokave, shtëpive, banesave pasi ka hyrë në fuqi nga 01.01.2010 Shtimi i numrit të inspektorëve të ATK-së gjithsesi do të luante rolin e saj. Me këtë rast edhe lajmërimi i rasteve nga qytetarët që për sjellje jo të mirë nga stafi i ATK-së dhe dyshimet për korrupsion do ta përmirësonin shërbimin dhe do të rrisnin besimin ndaj shtetit. Dështimi do të ishte i pamundur nëse të gjithë fillojnë të kontribuojnë në këtë drejtim, dhe kjo gjithsesi duhet të pjesë e rëndësishme e strategjisë së Republikës së Kosovës. Luftimi i korrupsionit është dhe do të jetë pjesa më e rëndësishme dhe më e mundimshme e këtij projekti afatgjatë e qeverisë së Kosovës, pasi që kjo detyrë e inspektimit dhe motivimit të qytetarëve dhe bizneseve për të pasur një qasje më ndryshe, kërkon vullnet, përgjegjësi, karakter të fortë, e jo personalitete që janë lehtë të manipulueshëm dhe e degradojnë tërë këtë proces. Prandaj, Kosovën e presin sfida, duhet të fillohet të punohet që tani, pasi ky vend ka kapacitete dhe ato duhet ruajtur dhe ngritur. Me rritjen e buxhetit ndikim do të kishte edhe te rritja e numrit të punësuarve, rritja e pagave, rritja e investimeve në Arsim duke shtuar cilësinë, Shëndetësi, Infrastrukturë, Shërbime më të mira publike, Mbrojtje ligjore dhe Siguri, e kështu me radhë, dhe njëkohësisht do të ngriste mirëqenien e qytetarëve dhe respektimin e tyre si njerëz të këtij vendi, duke shërbyer edhe si masë e parandalimit të ikjes së fuqisë puntore dhe të rinjëve kosovar.

You Might Also Like