Gjilan

Kulm mbi kokë për familjen Halili

Në Verbicë të Zhegocit në Gjilan, në prag të dimrit sot është bërë përurimi i shtëpisë së re për familjen Halili, e cila ka pesë anëtar të familjes dhe ka jetuar në kushte të rënda ekonomike dhe sociale, gjithnjë e përcjellë me skamje të madhe, me lagështi e të ftohët, sepse ajo në të cilën jetonte kjo familje deri para pak kohësh, ishte gjithçka tjetër por shtëpi e cila plotësonte as kushtet elementare.

Sot, në orët e pasdites kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, nën shoqërimin e donatorit Basri Hyseni, kanë bërë përurimin e shtëpisë së re për këtë familje e cila tani e tutje do të ketë një jetë shumë më të mirë.

Me fjalët e përgëzimit për familjen, kryetari ka thënë se ndërtimi i kësaj shtëpie është mesazhi më i mirë i solidaritetit ndaj familjeve në nevojë dhe mbështetjes .

“Përurimi i kësaj shtëpie më gëzon jashtëzakonisht shumë, sepse familja deri më tani kanë jetuar në kushte të rënda të banimit. Sot u bë rasti i 38 me radhë, i përfituesit në kuadër të aksionit të banimit social “Pak nga ne shumë për ata” dhe po vazhdojmë të mbështesim çdo familje që është në nevojë dhe me prioritet, sikur që jemi edhe në programe tjera për renovime dhe rindërtime të shtëpive për këtë kategori. Falënderoj sinqerisht donatorin, në këtë rast familjen Hyseni me angazhim dhe punë në diasporë, e cila ka ndarë mjetet nga kursimet e tyre që ta ndihmojnë një familje të tillë në vendlindjen e tyre”, ka pohuar kryetari Haziri, derisa ka kërkuar që shembuj të tillë të ndiqen edhe nga të tjerët, sepse Gjilani ka ende shumë nevoja në këtë drejtim.

Ndërsa, i gëzuar me shtëpinë e re, Përparim Halili, përfitues ka thënë që është kjo hera e parë që dimri po vije më i ngrohtë se herat tjera.

“Për herë të parë dimrin familja ime do ta pres me ngrohtësi dhe pa lagështi, pa të ftohtë, pa rrjedhje të shiut e borës brenda e me kushte krejt tjera. Fëmijët e mi sot po shkelin në kushte krejt tjera nga ato që kishim dje. Kjo është bërë falë mbështetjes së kryetarit dhe të donatorit, të cilët nuk kam fjalë që ti falënderoj”, tha i emocionuar Halili, duke falënderuar edhe të gjithë të tjerët që kanë kontribuar për këtë që ai sot ka.

Ndërsa donatori, Basri Hyseni, ka pohuar se kur sheh një familje të gëzuar, ndjehet krenar që kontributi i tij dhe të familjes së tij që është shkaktare pozitive e një rasti të tillë.

“Kur shoh gëzimin e familjes, të fëmijëve të kësaj shtëpie, të prindërve të tyre, sa ndjehem krenar, gjithashtu kam edhe shumë emocione, sepse fatmirësisht që nga sonte kemi një rast më pak që jeton pa kulm mbi kokë. Kjo familje shpresojmë të shtohet, të përparoj dhe kushtet e saj të jenë gjithnjë e më të mira. Do të jemi gjithnjë pranë kësaj familje dhe të tjerave gjithandej. Lus të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë dhe atyre që kanë mundësi që të ndjejnë atë që sot ne po ndjejmë, sepse vërtetë është shumë mirë të jemi ata që bëjmë më shtëpi dikë tjetër”, ka përfunduar Hyseni, duke falënderuar familjen e tij për mbështetjen.

You Might Also Like