Gjilan, 17 prill / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) shqyrtoi dhe rekomandoi për Kuvend Komunal raportin financiar janar-mars 2019, raportin e panelit përzgjedhës të anëtarëve të Komitetin konsultativ për personat me aftësi të kufizuar si dhe të Komitetit konsultativ të ekspertëve të planifikimit hapësinor, propozim-vendimin për miratimin e taksës për leje ndërtimore dhe tarifës për rregullimin e infrastrukturës, për vitin 2019, propozim-vendimin për ndryshim dhe plotësimin e vendimit për themelimin e KKSB-së si dhe kërkesën e Teatrit të qytetit për mbështetje financiare në shumën prej mbi 75 mijë euro.
Komuna e Gjilanit administron një buxhet prej 25.544.786 euro, shumë kjo e cila sigurohet nga grandet e qeverisë – 20.862.476, nga të hyrat vetanake – 4.465.883 si dhe financime nga huamarrjet – 216.427 euro. Buxheti përfundimtar për vitin 2019, me mjetet nga grandi, mjetet vetanake të vitit 2019, donacionet dhe participim i qytetarëve arrin shumën prej 25.944.406 euro.
Nevzad Isufi (VV) ka bërë vërejtje sa i përket anës teknike të raportit, për çka sqarime ka dhënë Ilmi Limani, zyrtar i lartë financiar.
Po ashtu, KPF ka rekomanduar për miratim në Kuvend vendimin për taksa administrative për leje ndërtimore në lartësi prej 1.40 euro për metër katror te kategorie e parë, përkatësisht 2.50 euro te kategoria e dytë, si dhe taksën administrative për leje rrënimi në lartësi prej 0.80€/m2. Me këtë vendim miratohet dhe tarifa për rritjen e densitetit të infrastrukturës në lartësi prej 194.86€/kokë banori.
Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se taksa komunale është e harmonizuar me nivelin qendror dhe është në harmoni me ligjin për ndërtim.
Komiteti ka mbështetur njëzëri edhe kërkesën e Teatrit të qytetit për ndarjen e mjeteve në lartësi prej mbi 75 mijë euro, që e ka arsyetuar drejtori Erson Zymberi, duke thënë se kjo shumë nevojitet për kompensimin e stafit artistik dhe teknik si dhe për aktivitetet e teatrit për vitin 2019.
Përndryshe, sa i përket propozimit të Ibish Ibishit (AAK) për të diskutuar rreth kërkesës së një grupi të qytetarëve, të cilët kanë prona në zonën e ish-kampit “Montith”, në lidhje me zbatimin e planit rregullues të vitit 2013, përkatësisht procedurën e shpronësimit, të cilin e kanë mbështetur edhe Mimoza Kadriu (Nisma), Nevzad Isufi (VV), Riza Abdyli (PDK) dhe të tjerë, duke thënë se qytetarët kanë të drejtë të interesohen për pronën e tyre, KPF u dakordua që më parë të kërkojë një informatë nga Drejtoria e Urbanizmit, për të parë se si qëndron puna në këtë rast dhe deri ku kanë arrit procedurat, meqë siç tha Avdyl Aliu (LDK), Komuna është duke hartuar hartën zonale, me të cilën duhet të përshtaten të gjitha planet rregulluese.