Mbi katër dekada kishte punuar laborant i analizave të gjakut në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Dardania”, por edhe në laboratorin e tij privat, kurse tashti, kur është pensionuar, laboranti Mefail Kastrati ka vendosur që pajisjet me të cilat ai ka bërë analizat e gjakut në laboratorin e tij, t’ia dhurojë Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti”, që ata të mund të përdorin këto pajisje gjatë punës së tyre praktike në laboratorin e shkollës.
Drejtori i Gjimnazit, Bekim Mustafa, ka falënderuar laborantin Mefail Kastrati për donacionin e dhënë, duke theksuar se këto pajisje do të jenë të mirëseardhura për nxënësit, ngase përmes tyre dijen që e marrin nga mësimdhënësit e tyre do t’a përforcojnë edhe më shumë në punë praktike në laborator.
Prof. Naser Aliu, mësimdhënës i biologjisë, thekson se është ky një mikroskop binokular me pajisje përcjellëse që shërben për të bërë analizat e gjakut, numërimit të rruazave të gjakut dhe që përdoret në laboratorin mjekësor. Laboranti Mefail Kastrati, pasi është pensionuar këtë mikroskop me pajisjes përcjellëse e ka dhënë donacion e me të cilin ka punuar në laboratorin privat. Profesori Aliu thotë se ky mikroskop mund të gjejë përdorim edhe në lëndën e biologjisë, ngase nëpërmjet tij mund të zmadhohen preparatet, ngase ky është binokular dhe ka katër objektivë që zmadhojnë deri në 1200 herë. Mikroskopi punon me rrymë elektrike dhe objektet e vogla nëpërmjet tij mund të shihen shumë qartë. Ky mikroskop, ndonëse është i përdorur është shumë i saktë.
Mefail Kastrati, ka theksuar se tashti kur është pensionuar kishte shprehur dëshirën dhe vullnetin që këtë pajisje të cilën e kishte përdorur gjatë karrierës së tij në ordinancën e tij private, t’ia dhurojë gjeneratave të reja në mënyrë që ata të mund ta përdorin në edukimin e tyre.
Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti” posedon laboratorin e biologjisë, i cili është pajisur me plot mjete të konkretizimit, posedon edhe mikroskopë, por ky që i erdhi donacion është më i përsosuri dhe i cili do të jetë një ndihmëse shtesë në përvetësimin sa më të mirë të njësive mësimore, duke i lidhur ato me praktikën. /kryelajmi.com/.