OPINION

Lagjia “Iliria” në errësirë totale

Shkruan: Bashkim Isufi

Banorët e lagjes “Iliria” në Gjilan jetojnë prej një kohe të gjatë pa ndriçim publik. Errësira që mbulon këtë lagje nuk është thjesht mungesë drite, por pasojë e drejtpërdrejtë e mosveprimit institucional. Ndërkohë që institucionet komunale përgjegjëse heshtin, qytetarët mbeten të ekspozuar ndaj rreziqeve që kjo situatë krijon për sigurinë dhe jetën e përditshme.

Përgjegjësia ligjore për funksionimin dhe mirëmbajtjen e ndriçimit publik është e përcaktuar qartë me legjislacionin në fuqi. Mungesa e reagimit nga institucionet kompetente nuk mund të arsyetohet me procedura administrative apo vonesa teknike, pasi një sjellje e tillë përbën neglizhencë institucionale dhe shkelje të detyrimeve publike ndaj qytetarëve që kontribuojnë përmes taksave dhe presin shërbime bazike.

Errësira në hapësirat publike nuk është çështje komoditeti, por problem i drejtpërdrejtë i sigurisë publike. Ajo kufizon lëvizjen e lirë të qytetarëve, rrit ndjenjën e pasigurisë dhe krijon kushte të favorshme për incidente dhe veprime të paligjshme. Në këtë kontekst, mosveprimi institucional është po aq i dëmshëm sa vetë dëmtimi fizik i rrjetit të ndriçimit publik.

Sipas informatave të siguruara nga Drejtoria për Shërbime Publike, Infrastrukturë dhe Banim, rrjeti i ndriçimit publik në këtë lagje është dëmtuar nga një investitor privat gjatë zhvillimit të punimeve ndërtimore, duke cenuar drejtpërdrejt infrastrukturën publike ekzistuese. Megjithatë, pavarësisht përgjegjësisë së qartë ligjore të investitorit, deri më tani nuk janë ndërmarrë veprime konkrete për sanimin e dëmit të shkaktuar.

Sipas legjislacionit në fuqi, investitori i pajisur me leje ndërtimore mban përgjegjësi të plotë ligjore për çdo dëmtim të pronës publike të shkaktuar gjatë realizimit të punimeve. Kjo përgjegjësi përfshin edhe infrastrukturën e ndriçimit publik dhe ka karakter detyrues për sanim të menjëhershëm të dëmit.

Edhe pse Ligji për Ndërtim nuk specifikon në mënyrë të veçantë përgjegjësinë për dëmtimin e ndriçimit publik, kjo përgjegjësi rrjedh nga Ligji Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisje Lokale. Sipas Nenit 17, shkronja f), komuna ka detyrimin për të ofruar dhe mirëmbajtur shërbimet publike dhe komunale. Këto përfshijnë furnizimin me ujë, kanalizimin, trajtimin e ujërave të zeza, menaxhimin e mbeturinave, rrugët lokale, transportin lokal dhe skemat e nxehjes lokale. Ky detyrim përfshin gjithashtu ndriçimin publik si një element thelbësor të infrastrukturës komunale. Çdo subjekt që dëmton këtë infrastrukturë ka përgjegjësinë ligjore për të sanuar menjëherë dëmin e shkaktuar.

Sipas Ligjit Nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, çdo person që shkakton dëm mban përgjegjësi për kompensimin e tij. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur dëshmohet se dëmi është shkaktuar pa fajin e tij. Në këtë kontekst, dëmtimi i ndriçimit publik përbën dëmtim të pronës publike. Kjo i jep komunës të drejtën dhe obligimin ligjor për të kërkuar sanimin e plotë të dëmit nga investitori përgjegjës.

Institucionet kompetente kanë detyrimin ligjor të veprojnë menjëherë ndaj çdo investitori që dëmton pronën publike. Ato duhet të urdhërojnë sanimin e dëmit dhe të zbatojnë në mënyrë rigoroze masat administrative dhe sanksionet e parashikuara me ligj. Këto veprime janë të domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve dhe interesit publik. Përfshirë rikthimin e funksionalitetit të rrjetit të ndriçimit publik në lagjen “Iliria”.

Në këtë drejtim, Ligji Nr. 04/L-175 për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit i jep Inspektoratit kompetencë të plotë për të konstatuar dëmin në infrastrukturën publike, për të urdhëruar sanimin e tij nga investitori përgjegjës dhe, në rast moszbatimi, për të shqiptuar masa administrative, përfshirë gjoba dhe pezullim të punimeve ndërtimore.

Rekomandohet që procedurat administrative dhe inspektuese ndaj investitorit përgjegjës të iniciohen pa vonesë, me qëllim të rikthimit të menjëhershëm të funksionalitetit të ndriçimit publik dhe garantimit të sigurisë së qytetarëve dhe interesit publik. Çdo vonesë e mëtejme përbën shkelje të vazhdueshme të detyrimeve ligjore dhe cenim serioz të interesit publik.

You Might Also Like