OPINION

SABIT REXHEPI IDEALIST DHE ATDHETAR I PËRKUSHTUAR

NDERIM DHE PËRKUJTIM PËR ATDHETARIN, SABIT REXHEPI, I CILI PAK DITË MË PARË KA NDRRUAR JETË

SABIT REXHEPI IDEALIST DHE ATDHETAR I PËRKUSHTUAR

Shkruan: Ismet Rashiti

Pas përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës shumë nga idealistët dhe atdhetarët e përkushtuar disi kanë mbetur të heshtur. Kjo për shumë arsye, por kryesorja për shkak modestisë së tepruar që i ka karakterizuar gjatë gjithë jetës. Në fund të fundit ata që vërtetë e ndjejnë peshën e rëndë të robërisë dhe si ideal jetësor kanë çlirimin e vendit, veprojnë në heshtje dhe parrahagjokse.
Një idealist dhe atdhetar i këti kalibri, padyshim është Sabit Rexhepi nga fshati Gjylekar i Vitisë, i cili prej shumë vitesh jeton në Gjilan.
Që të jemë krejt i sinçert për Sabit Rexhepin dhe veprimtarinë tij patriotike, kam dëgjuar që nga dhjetori i vitit 1982, kur ishte burgosur me Grupin më të madh prej 16 vetash të udhëheqësit nga patrioti, Nazmi Hoxha. Si anëtar i Redaksisë së gazetës “Zëri i Kosovës”, kisha dëgjuar, lexuar dhe shkruar me kohë për gjykimet antishqiptare për dënimin e grupeve patriotike dhe gjithsesi edhe për njeriun e aksioneve ilegale, qëndresën në burg dhe vendosmërinë që kishte treguar, Sabit Rexhepi para gjykatës së Gjilanit.
Gjatë këtyre ditëve lexova me një frymë dy vëllimet e veprës së Sabit Rexhepit me titull domethënës, “Për Republikë”. Çdo rresht që lexoja më dilte përpara portreti i këti atdhetari, ashtu siç është, pa zbukurime e hipërbolizime siç është bërë praktikë në shumë raste. Gjuha e rrjedhëshme, e saktë dhe origjinale, më përkujtonin ato ditë të vështira, përplotë tensione: Ndjekje, burgosje, difernencime, arratisje…
Që nga hyrja e pjesës së parë, regjistrimi me vonesë në shkollë, kryerja e shkollimit fillore në Gjylekar dhe Viti, pastaj shkollën e mesme të Tekstilit në Gjilan dhe SHL në Leskovc, njohja me ideatorin e Lëvizjes ilegale, Nazmi Hoxha, aksionet e shumta, burgosja dhe dënimi me gjashtë vjet burg, transferimi nga një burg në tjetrin, gjendja e rëndë shëndetësore, dëshmojnë për idealet më të larta kombëtare të Sabit Rexhepit. Mënyra origjinale e të shprehurit, guximi për ti thënë gjërat ashtu siç kanë ndodhur me emër dhe mbiemër, janë shprehje e një realiteti me të cilin është përballur autori gjatë gjithë jetës brenda dhe jasht burgut.
Edhe pas kryerjes së burgut, Sabit Rexhepi nuk është ndalur së vepruari, gjë të cilën e pasqyron në pjesën e dytë të librit “Për Republikë”. Si veprimtarë me përvojë dhe i burgosur politik, asnjëherë nuk u pajtua me padrejtësitë e shumta që i bëheshin popullit shqiptar nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj shqiptarë. Ndaj gjithnjë i përcjellur, i përndjekur, i izoluar dhe i dënuar, por asnjëherë i penduar dhe i nënshtruar për veprimtarinë e tij kombëtare.
Atdhetari i përkushtuar dhe idealisti i pathyeshëm në rregën e tij jetësore, Sabit Rexhepi është njëra nga figurat më të spikatura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Vepra e tij shëndritë si margaritar në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo do të mbetet një shembull i mirë për gjeneratat e reja se sa shumë duhet punuar për liri, zhvillim dhe përparim të vendit tonë.

You Might Also Like