Sot, gjatë seancës së Kuvendit të Komunës së Gjilanit, kemi qenë dëshmitarë të një veprimi që e konsiderojmë të papranueshëm për funksionimin demokratik të këtij institucioni. Seanca u zhvillua pa kushte, pa zërim dhe, mbi të gjitha, pa respektimin e përfaqësimit proporcional të partive politike, duke krijuar një situatë ku shumica në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e keqpërdori fuqinë e votës së saj për të imponuar vendime njëanshmërisht.
Gjatë votimit për përfaqësuesit e Komunës së Gjilanit në Asociacionin e Komunave të Kosovës, i cili është institucion i komunave dhe jo i partive politike, vetëm anëtarët e VV-së morën pjesë, duke na pamundësuar neve, si opozitë, të propozojmë kandidatët tanë dhe të kontribuojmë në procesin demokratik. Kjo praktikë cenon rëndë parimet e barazisë së përfaqësimit dhe transparencës dhe dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet lokale.
Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan mbetet e vendosur të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të gjitha partitë politike për një proces të drejtë dhe transparent, duke kërkuar që, në të ardhmen, të respektohen rregullat dhe parimet demokratike në Kuvendin e Komunës.
Ne do të vazhdojmë të reagojmë kundër çdo praktike që cenon pluralizmin politik dhe të drejtat e përfaqësimit në institucionet vendore.
LDK – Gjilan.


