Gjilan

Në Gjilan po vazhdon kampanja e pastrimit të ambientit “Green & Clean”

Gjilan, 29 prill 2022 – Kampanja për pastrimin e ambientit “Green & Clean” ka vazhduar edhe sot në Gjilan, përkatësisht në shkollën fillore “Rexhep Elmazi” e në lagjen Dheu i Bardhë dhe Banja, në fshatin Bresalc, shkollën “Ibrahim Uruqi” e para Zyrës së Kryetarit, ku në këtë të fundit u mbollën lule.
Kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, gjatë aktivitetit të mbjelljes së luleve, ka thënë se ky aksion do të vazhdojë, duke shtuar se do të kujdesen që ky akt të mos jetë vetëm simbolik.
“Qyteti do të gjelbërohet edhe më shumë dhe do të dekorohet edhe me lule e bimë të tjera. Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë t’i ftoj qytetarët që të na bashkohen në aksionet e pastrimit, të mbjelljes së luleve e drunjve dekorativë, e në këtë formë, të marrin pjesë në atë që do të jetë krenaria jonë në të ardhmen – në pastërtinë dhe gjelbërimin e qytetit ”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ndërkaq, nënkryetarja e Komunës, Leonora Morina Bunjaku, gjatë aksionit të pastrimit të shkollës “Rexhep Elmazi”, ka falënderuar të gjithë nxënësit e mësimdhënësit që u janë bashkangjitur kësaj kampanje.
Ndryshe, kreu i Gjilanit, Alban Hyseni, e ka hapur kampanjën e pastrimit në Ditën e Tokës, më 22 prill, e cila do të zgjasë deri më 6 qershor.

You Might Also Like