Libri

LIBËR I RRALLË NË FUSHËN E ARSIMIT

Shkruan: prof. Dr. Bahtijar Kryeziu

LIBËR I RRALLË NË FUSHËN E ARSIMIT

(Dr.sc. Genitana Shahini, “Planet dhe programet mësimore në lëndën e gjuhës shqipe” (Niveli fillor dhe i mesëm i ulët), Prishtinë, 2022, faqe 206)

Sapo doli nga shtypi botimi i një vepre jo dhe aq të zakonshme në fushën e arsimit, në kohën kur arsimi shqip, i të gjitha niveleve e sidomos ai i ciklit fillor dhe i mesëm i ulët, po dergjen me vite e vite, siç vlerësojnë edhe institucionet pedagogjike arsimore, PISA etj. Është ky libri i parë i doktoreshës së re, dr. Gentiana Shahini me titull “Planet dhe programet mësimore në lëndën e gjuhës shqipe” (Niveli fillor dhe i mesëm i ulët), një ndihmesë shumë e vyer për mësimdhënësit tanë të gjuhës shqipe, të atij niveli kur nxënësi duhet të nxë dhe përvetësojë gjuhën shqipe, këtë shenjë kombëtare, më mirë se në çdo moshë tjetër.

Autorja e librit, gjatë një vështrimi të paraqitur në Parathënie (Përmbledhje) të punimit, në mënyrë të përgjithshme ka treguar interesimin dhe motivimin e saj për këtë temë, platformën e projektit të paraqitur në libër, qëllimin e kërkimit, numrin e mësimdhënësve të anketuar dhe zbatimin e plan-programeve mësimore në rrjedhë të moteve në shkollat tona, që nga standardizimi i gjuhës shqipe, përkatësisht, që nga viti 1974 e deri tek vendi i gjuhës shqipe në Kurrikulën e re të Kosovës. Jo pa të drejtë dr. Shahini thotë, se: “Thelbi i këtij studimi pykëzohet kryesisht në vështrimin historik të planeve dhe programeve kryesisht në vështrimin historik të planeve dhe programeve mësimore të gjuhës shqipenga periudha e unifikimit (standardizimit) të gjuhës shqipe e gjer në ditët e sotme (klasat I-IX) … e që ky studim vjen si rezultat i verifikimit të tezës së doktoratës, i mbrojtur në mars të vitit 2017”.

Në vazhdim të librit, autorja ka paraqitur një Hyrje të thukët, në të cilën, ka shpërfaqur mendimin e saj përkitazi me planet dhe programet mësimore, si çështje komplekse që janë e që duhen pasur parasysh disa përbërës, siç janë: kohezioni që i karakterizon plan-programet mësimore, risitë bashkëkohore në arsim, sasia lëndore, përmbajtjet, ndryshimet dhe plotësimet që duhet bërë, karakteri shkencor i përmbajtjeve mësimore, korrelacioni i përmbajtjeve mësimore dhe mes lëndëve mësimore, shkalla e arritshmërisë së nxënësve, kompetencat e caktuara, mosha nxënësve të cilëve u dedikohen ato plan-programe, respektimi i shkallës së zhvillimit ekonomik dhe kulturor “të mjedisit ku gjendet shkolla etj., si kërkesa imediate që janë.

Libri “Planet dhe programet mësimore në lëndën e gjuhës shqipe” i botuar këto ditë me recensuesit prof. dr. Zeqir Kadriu dhe autori i këtyre radhëve e i mbrojtur më parë si tezë doktorate nga dr. Shahini, të cilin libër këtë radhë e kemi bërë objekt shqyrtimi e vlerësimi, mban “vulën” e një pune të përkushtuar, fryt i një qëmtimi të zellshëm e të kryer me gjithë kujdesin profesional-shkencor të kërkuar për nivelin e trajtimeve të këtilla, për të sublimuar dhe një herë rrugën plot gjemba nëpër të cilën ka kaluar arsimi shqip në Kosovë në përgjithësi e gjuha dhe letërsia shqipe, si dhe disa lëndë “indoktrinuese” që paraqiteshin në kohë “stuhie politike” në vitet e ’80-ta, në veçanti.

Kemi menduar atëherë, kur dhe dr. Gentiana u përcaktua për këtë temë, e mendojmë edhe tani se lënda e shtjelluar në këtë punim është e qëlluar, interesante dhe e rëndësishme, jo vetëm nga pikëpamja e statusit të lëndës së gjuhës shqipe në plan-programet e shkollave tetëvjeçare të Kosovës për gati 45 vjet me radhë, por edhe nga aspekti profesional e shkencor i trajtimit dhe i paraqitjes së fakteve në këtë botim. Qëllimi i hulumtimit ishte vështrimi historik i planeve dhe programeve mësimore nga viti 1972 deri në ditët e sotme, analiza, krahasimi dhe vlerësimi i tyre, qasja metodologjike në hartimin e tyre, përputhja e tyre me tekstet shkollore të gjuhës shqipe në arsimin e detyruar, ndikimi i tyre në arritjen e rezultateve të dëshiruara te nxënësit, etj. Objekt studimi e analize janë, pra, planet dhe programet mësimore të viteve: 1972, 1974, 1977, 1982, 1989, 1990, 1991/’92, 1996, 2006 e gjer te “Gjuha shqipe në Kurrikulën e re të Kosovës” – fusha Gjuhët dhe komunikimi, shembëllzuar këto plan-programe edhe me pasqyra e tabela të shumta. Nga hartimet e plan-programeve të viteve të përmendura, del sikur ato janë hartuar në stilin ”Planprogramet e reja u kryen! Të fillojmë menjëherë për përgatitjen e planprogrameve të reja!”.

Që trajtimi i kësaj problematike të dalë sa më i plotë e cilësor, dr. Gentiana Shahini duket se i kishte parashtruar vetes këto detyra: konsultimin e literaturës që bën fjalë për plan-programet mësimore të periudhave të përmendura më sipër, shqyrtimin dhe analizat, thuajse shteruese, përkitazi me këto plan-programe; hulumtimin empirik të problemit me mësimdhënës; analizat dhe krahasimet e rezultateve të hulumtimit; përpunimin statistikor të të dhënave dhe nxjerrjen e përfundimeve dhe të rekomandimeve. E gjithë kjo punë del se është realizuar duke u mbështetur në metodat gjegjëse, të paraqitura në vepër, për një hulumtim çfarë e ka realizuar autorja në këtë vepër.

Pas mbledhjes së rezultateve, ato janë sistemuar, analizuar dhe krahasuar në aspektin sasior dhe cilësor. Rezultatet e nxjerra nga hulumtimi janë paraqitur në libër përmes tabelave dhe grafikoneve dhe në fund është dhënë një Përfundim për venerimet, hulumtimin dhe rezultatet e punës së vet.
Për pohimet a përfundimet e nxjerra, i është referuar një lënde mjaft të pasur, të cituar me saktësi e burimësi nga shkrime të kohës, studiues të fushave të ndryshme: gjuhëtarë, letrarë, pedagogë, metodistë, njohës të fushave të politikave arsimore etj.

Në fund të kësaj fjale të shkurtër (nga një recension më i gjatë) e përgëzojmë dr. Gentianën që libri “Planet dhe programet mësimore në lëndën e gjuhës shqipe”, të ketë vlerësimin meritor, si nga mësimdhënësit të cilëve edhe ju dedikohet ky libër, ashtu edhe nga lexuesit dhe studiuesit e interesuar!

22 mars 2022

You Might Also Like