Nexhat Rexha
Fjala e shkruar gjithmonë krijon shtratin e saj në shtrirje të gjerë, duke ruajtur verdiktin e kohëve dhe të njerëzve që krijojnë historinë e vendit të tyre. Në këto kondita të realiteteve tona, kur fjalës i japim kuptimin e dokumentaritetit, ajo bashkëjeton me fatet e popujve nëpër rrjedhat e historisë njerëzore. Në këtë relacion të historisë së fjalës dhe historisë së shkruar vjen edhe libri monografik i Nijazi Kastratit “ Karaçeva e Epërme”, e cila brenda kopertinave të saja, ka brumosje e artikulime që jetësojnë botën në ruajtje të arealit tonë, me të kaluarën historike. Gjithnjë në hulumtime e fakte sa më konkrete për autoktoninë e fshatit Karaçevë e Epërme.
Monografia “ Karaçeva e Epërme”, ka ndërtim e strukturim mbi të dhënat me materiale historike, në ruajtje të gojëdhënave dhe dokumentaritetit nëpër faqet e librave të ndryshme. Autori, përmes hulumtimeve të tija ka argumetuar të kaluarën e bashkëfshatarëve të tij. Kështu, duke i dhënë dhuratën më të çmueshme këtij lokalitetit, sepse vendbanimet tona me jatëgjatësi shekullore, janë shantazhuar nga sunduesit e ndryshëm për të humbur gjurmët e kohëve.
Vlera dhe rëndësia e monogrfaisë
Librat monografik, janë pikënisja e fjalës dhe ruajtja e aktualiteteve të banorëve që kanë ngritur vetëdijësimin kombëtar në ruajtje të gjenealogjisë dhe të zhvillimit shoqëror, me ngritje të emancipimit kulturor, ekonomik e avancimeve nga një gjeneratë në gjeneratën vijuese. Për të lënë trashëgimi të atdhetarizmës, në kontekstet e kohëve, si dhe për t’u rreshtuar me qytetërimin botëror. Historia e mbamendjes dhe historia e arkivimit ka shpërfaqjet e veta, të cilat në shumë raste ngatërrojnë memorien e njeriut në për kohë. Nijazi Kastrati, duke qenë njohës i këtyre koncepteve njerëzore, shkencore, ka arritur të shkruajë këtë vepër testament për sot, e gjeneratat që do vijnë.
Libri është shkruar me përkushtim e kronologji sa më shkencore në materialet e paraqitura në libër. Në kapitujt e librit, autori ka dokumentaur të kaluarën dhe të sotmen sipas topografisë që ekziston në hapësirën gjeografike të fshatit Karaçevë e Epërme. Duke shfrytëzaur materiale edhe nga gojëdhënat e legjendat që janë ruajtur nëpër brezni, si dhe gjurmët arkeologjike që ka ruajtur toka jonë. Pastaj, shënimet nga historia e re pas Luftës së Dytë Botërore dhe periudhën e socializmit ,si dhe periudhën më ndriçuese pas vitit 1990, gjegjësisht ndarjen e Kosovës nga Serbia. Qëndresa biblike e popullit shqiptar, padyshim edhe e fshatit Karaçevë e Epërme. Nuk duhet harruar se Shtëpia e Kulturës, ku jemi edhe tani, nëpër ato vite të qëndresës ishte shtëpia e ndërtimit të Pavarësisë së Kosovës, sa e sa takime me rëndësi kombëtare, janë mbajtur për lirinë e Kosovës këtu. Ky objekt, brenda mureve të veta ruan fjalën dhe qëndresën historike, për lirinë e Kosovës . Autori i librit bashkë me ju qytetarë të Karaçevës së Epërme dhe të lokaliteteve tjera të komunës dhe të Kosovës e më gjerë kanë krijuar vepra, e kanë skalitur idealet për të mundur robërinë serbe.
Të gjitha këto ngjarje nëpër kohë të ndryshme përfaqësojnë njeriun tonë, Nijaziu ka mbledhur me pak fjalë punët e mëdha që begatojnë historinë e vendlindjes dhe krijojnë arkivin në ruajtje të shtetit tonë. Kjo edhe është rëndësia e librave monografik, të cilat i kanë munguar jo vetën fshatit Karaçevë e Epërme, por i mungojnë shumë lokaliteteve tona, e më së shumti i mungojnë Kosovës dhe etnikumit tonë të copëtuar nga sunduesit e ndryshëm, e sidomos periudha sundimit serb që ka copëtuar trojet tona, duke ndarë tokat tona në disa shtete Ballkanike. Po cilat janë objektivat e parashtruara në librin monografik, që argumentojnë këtë vendbanim të hershëm. Nijazi Kastarti, nga dokumentet e shkruara ka konstatuar se vendbanimi Karaçevë, daton nga viti 1455, ku është shënuar me këtë emër. Në realitet lokaliteti është shumë më i vjetër se ky vit ,mirëpo, shënimet-dokumentet arkivore mungojnë për këtë dhe shumë vendbanime tona Ilire. Për këtë arsye monografitë kanë rëndësi të jetike për të kaluarën e një populli, një vendbanimi. Autori në gjithë kapitujt e librit ka shkrirë materialin e vjelur, për të dëshmuar se Karaçeva e Epërme, ka të trashëguar vlera të rëndësishme brenda fatit të saj.
Karaçave e Epërme ka ruajtur emrin e fisit Kastrat. Pastaj legjenda për Manastirin. Lagjet e fshatit dhe emërtimet e tyre, Regjistrimet statistikore sipas viteve, duke shkruar ato nga viti 1913 e këndej.
Karaçeva mes Dy Luftërave Botërore, duke ruajtur në kujtesë dhe me dëshmi personalitete nga Karaçeva, siç ishte i njohur në popull Jakup Karaçeva, personalitet i kohës.
Në këtë pjesë kemi edhe periudhën e kolonizimit, me serb në fshatrat shqiptare në Kosovë dhe në komunën tonë, pra edhe në Karaçevë të Epërme politika serbe vendosi -11 shtëpi në vitin 1920.
Pastaj, përshkruan edhe për objektet e kultit fetar dhe roli i tyre nëpër rrjedhat e historisë, ato kanë vepruar dhe kanë mbajtur gjallë në disa mënyre ekzistencën e banorëve të Karaçevës së Epërme.
Autori, ka shënuar edhe toponimet e fshatit , të cilat janë dëshmia më e mirë autoktone dhe më burimore, sepse ato kanë ruajtur që nga lashtësitë emrat e tyre. Njeriu i Karaçevës, gjatë luftërave të ndryshme i ka qëndruar besnikërisht atdheut, deri te lufta e UÇK-së, dhe kontributi i njerëve të fshatit Karaçevë e Epërme.
Pjesën më të madhe të librit e përshkon historia e re e Kosovës, sepse autori këto ngjarje e ndodhi i ka përjetuar, si dhe ka qenë bartës i këtyre proceseve me shumë veprimtarë të dalluar të çështjes kombëtare. Gjithnjë në avancim e koordinim me banorët e vendlindjes Karaçevë e Epërme. Brenda kopertinave të librit, lexuesi i vëmendshëm konstaton, përjeton periudhën e robërisë, si dhe njihet për së afërmi me zhvillimet politike që kaloi njeriu ynë nëpër këto procese. Ai ishte brumosur me idealet e të kaluarës, me përkushtim të punës dhe aktiviteteve politike, duke mbijetuar në shumë fusha, si në: arsim, shëndetësi dhe fusha tjera, brenda periudhës së okupimit klasik serb, në këto pesë dekadat e fundit për të arritur deri te viti 1999, kur Kosova u çlirua nga çizmja okupuese serbe.
Në libër, autori ka paraqitur me fotografi edhe disa personalitete të fshatit Karaçevë e Epërme, si dëshmi të kohës. Këto dhe të dhëna të tjera dëshmojnë saktësinë dhe origjinalitetin faktografik të librit.
Nijazi Kastrati, librin e përmbyllë me disa shkrime që ruajnë tiparet e traditës, të cilat kanë rëndësinë e posaçme dhe krijojnë mundësinë e vazhdimit, hulumtimit të mëtutjeshëm në vjeljen e materialeve nga më të ndryshmet që mund të ruhen në arkivat e përbotshme, apo në raste të ndryshme edhe në gjurmë arkologjike që mund te ketë ruajtur toka gjatë shekujve.
Të nderuar të pranishëm,
Libri “Karaçeva e Epërme” Monografi, e Nijazi Kastratit, nuk ka mundur t’i përfshijë të gjitha , ngjarjet që kanë ndodhur, kjo ndodhë me të gjitha librat monografik. Mirëpo, njerëzit që mund të kenë dëshmi të ruajtjes së materialeve nga më të ndryshmet, e që nuk janë brenda këtij botimi,a to janë të nevojshme dhe plotësojnë, e begatojnë librin nga botimi i parë në ribotimet tjera.
Punimin po e përmbyll me fjalët e nobelistit-shkrimatrit gjerman Hemran Hesse, i cili që në fillim të librit të tij” Demiani”, shkruan: ”Për të rrëfyer historinë time, më duhet të filloj nga e para, nga fëmijëria ime e hershme, apo më mirë thënë, duke u nisur nga prejardhja ime e largët”[1]
Karaçevë e Epërme, më 29 dhjetor 2023
[1] Herman Hesse” Demiani”,Botoi,” Asdreni”,Shkup,fq.5..