Gjilan, 8 prill 2021 – Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i ka dërguar një telegram urimi këtij komuniteti.
“I shpreh urimet më të mira komunitetit rom, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve. Në këtë ditë, në veçanti, dua ta kujtoj me respekt maksimal Elez Agushin, i cili punoi pareshtur për liri, pavarësi dhe Republikë, dhe ndërroi jetë pas torturave të regjimit të kohës, pasi kishte punuar për këtë kauzë”, tha Haziri.
Ai theksoi se ndihet jashtëzakonisht mirë që Gjilani është shembulli më i mirë i respektimit të të drejtave të të gjitha komuniteteve pakicë, duke shtuar se për këtë kjo komunë është përmendur edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB’së.
“Diversiteti kulturor, fetar dhe etnik për neve konsiderohet si vlerë”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Ndryshe, në shenjë nderimi për kontributin e dhënë për kauzën për liri, pavarësi e Republikë, një rrugë e Gjilanit mban emrin e Elez Agushit.