Gjilan, 25 tetor 2019 – Në një ceremoni të veçantë të promovimit të produkteve gjilanase, në Gjilan është shtruar të premten sofra e falënderimit, Darka e Lamës.
I pari i gjilanasëve, Lutfi Haziri, tha se po e vazhdojnë këtë akt falënderimi, si traditë që e la presidenti historik, Ibrahim Rugova.
“E premtja e fundit të tetorit në kalendarin e shqiptarëve shënon përfundimin dhe mbjelljen e bereqetit, shtrimin e sofrës së Darkës së Lamës. Këtë na e la trashëgimi presidenti Rugova dhe ne në Gjilan asnjëherë nuk e kemi lënë anash. Ka qenë vit i thatë për Gjilanin, pasi jemi njëri prej regjioneve që po e vuan thatësinë e ujit, por ka qenë vit i bereqetshëm sa i përket të mirave dhe begatisë, falë punës dhe djersës së njerëzve që e punojnë tokën dhe jetojnë prej saj. Ata i dhanë dimension zhvillimit lokal ekonomik sepse bujqësia mbetet promotori kryesor i zhvillimit”, tha Haziri, i cili nuk la pa përmendur kompanitë gjilanase që me sukses kanë depërtuar në Europë.
“Në rrafshin e dytë, janë ata që po udhëheqin me ekonomi përtej Gjilanit, duke u bërë brende të njohura në Europë. Kudo që shkruan Made in Kosova, shumica e produkteve prodhohen në Gjilan dhe janë krenaria jonë, për të cilët unë jam shumë falënderues. Këto brende janë, Fluidi, Frutomania, Ask Foods, Konsoni, Calabria, Malësia, Kabi, Bio Produkt, Floi, Dea dhe të gjitha kompanitë tjera që kanë kaluar në prodhim. Si pjesë e saj, begatohet edhe sonte Darka e Lamës. Uroj që kjo traditë të vazhdojë brenda familjeve tona. Uroj çdo familje që të ketë begati”, shtoi kryetari i Gjilanit.
Drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Ramiz Ramadani, tha se sot po nderohet puna e secilit fermer dhe secilit agropërpunues.
“Gjatë kësaj feste, bëhen falënderime për të mirat që na i ka falë Zoti këtë vit dhe lutemi që të na dhurojë më shumë të mira në vitin tjetër. Sot, nderojmë punën e secilit fermer, e në veçanti, punën e secilit agropërpunues gjilanas, të cilët po ndërtojnë brendet e tyre me cilësi të nivelit europian”, tha ai.
Ramadani ka falënderuar partnerët të cilët ndihmuan në zhvillim të kapaciteteve si, USAID, Komisionin Europian, IADK, sikurse edhe dy kompanitë, Hib Petrol dhe Shell Kosova, për subvencionimin e naftës.