Gjilan, 12 prill 2020 – Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, bashkë me nënkryetarin Arbër Ismajli, kanë vizituar fabrikën e prodhimeve të qumështit Kabi, ku janë shprehur të impresionuar me pastërtinë dhe kushtet sterile në prodhim.
“Është njëri prej prodhueve që Gjilani dhe Anamorava krenohet si brend. Në fabrikën e Kabit, tash e 20 vjet punëtorët bartin maska, dorëza e sterilizues, në mënyrë që produktet e qumështit të dalin me kualitetin më të lartë dhe sipas standardeve europiane. I falënderoj pronarët e Kabit, Femi Kastrati e Mitat Bixhaku dhe gjeneratën e dytë, të cilët e bartin biznesin që ka 40 punëntorë”, ka deklaruar Haziri, pas vizitës.
Ai ka theksuar se tradita e punës është sjell prej Zvicrës, ndërkaq si rezultat i prodhimeve të larta, e kanë fituar projektin e madh të Komisionit Europian, për zgjerimin e kapaciteteve.
“BE dhe ambasadorja Natalya Apostolova e ka përmendur si shembull të mirë Kabin, të rritjes së kapaciteteve dhe kualitetit të prodhimit. Kemi ardhur sot për t’u njohur me vështirësitë e prodhimit dhe apelojmë që të vazhdojmë ta ruajmë dhe t’i përdorim prodhimet vendose si ato të Kabit”, ka shtuar kreu i Gjilanit.
Në emër të fabrikës Kabi ka folur, Nehat Bixhaku, i cili e ka falënderuar kryetarin Haziri për vizitën dhe mbështetjen e ofruar në këtë kohë pandemie, duke thënë se sfidat dhe vështirësitë po mundohen t’i tejkalojnë me sukses.