Trashëgimi

Manastiri i Moçarit me vlera arkitekturore

dini Shkruan: Sherafedin Kadriu, Qendra Rajonale për Trashigimi Kulturore në Gjilan

 

Një nga monumentet më të rëndësishme dhe patjetër edhe ekspozues për vetë Kosovën, po për vlerat arkitekturore, edhe si rrënojë për shekuj me radhë, mbetet Manastiri i Moçarit komuna e Dardanës/Kamenicës. Në literaturën serbe njihet si Manastiri i Shën Rgjavcit ose edhe Manastiri Ubozhac, i datuar si i shek. XIV. Këtë objekt ish Enti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës në Prishtinë e merr në mbrojtje në vitin 1955,  me nr. v. E.K. 478/55.

Në komunitetin shkencor serb ngritja e këtij objekti  i atribuohet  ose  mesit të shek. XIV, ose kohës së Perandorisë Osmane. Stili i ndërtimit, sipas arkeologëve serbë, i përket Shkollës së Moravës, stil ky që rezulton në pjesën e tretë të shekullit të katërmbëdhjetë. Vetë ata, edhe pse e kanë datuar si të shekullit XIV, kthehen dhe e kontestojnë atë shekull (XIV) si kohë e ndërtimit të këtij manastiri, duke arsyetuar se kishat e tilla në Serbi janë ndërtuar vetëm në veri të Serbisë, më saktë në rajonin e Moravës së Madhe, pra jo edhe në territorin e Moravës Jugore, a Moravës së Binçës, duke shtuar se ndërtimet e tilla paskan ndodhur vetëm në shtetin e Princ Lazarit (1371-1389). Nga ana tjetër, konsiderojnë ata,  kishat e ngritura gjatë mbretërimit të okupimit osman janë të thjeshta në formë, dimensionesh të vogla dhe pa kupolë,  përballë  një ndërtese monumentale trikonkshe, siç është kisha e Manastirit të Moçarit.

Këto kundërshti shtrojnë pyetjen e domosdoshme: Kur është ndërtuar ky manastir? Logjika të çon në kohë më të largëta, ndoshta aty kah shekulli i VI, kohë kur Justiniani i Parë i kushtoi një rëndësi të madhe ndërtesave sakrale dhe profane patjetër. Ndërsa,  një rindërtim, ose edhe renovim në kohë më të vonshme,  mund të ketë ndodhur. Kisha trikonkshe të po këtij tipi hasim në Shqipëri që nga koha e Justinianit, por Kisha trikonkshe e Shën Mërisë në Drisht të Shkodrës (shek. X-XI), përputhet edhe me dedikimin e të të njëjtit shenjt me kishën trikonkshe të Moçarit, – Shën Mërinë.

Todor Stankoviq, në veprën e tij Putne beleške po staroj Srbiji, 1871-1898  (Beograd, 1910),   thotë se manastiri i braktisur i quajtur Rgjvac ndodhet në fshatin serb Moçar, muret e të cilit janë të tërë deri në çati, ndërsa në murin verior lart mbi tokë ka një mbishkrim. Në të vërtetë, Stankoviq nuk e kishte vizituar manastirin, sepse përshkrimi që i bën rrugës së kthimit për Kosovë nuk e shpie në atë pjesë, po si duket ato që thotë për manastirin i ka të dëgjuara. Në të vërtetë, mbishkrimi nuk ekziston sot. Ai mund të jetë hequr edhe me qëllim, nëse dikujt nuk do t’i konvenonte përmbajtja e tij.

Në literaturën shqipe, për këtë objekt sakral flitet si për  një manastir romak, ose për një objekt që i përket kohëve të lashta bizantine. Popullata shqiptare ka një shpjegim të përafërt me shkrimet e fundit. Në të vërtetë, malësorët e Gallapit, mbajnë mend që deri vonë, pak pas ikjes së Turqisë, deri kah mesi i viteve 30 të shekullit XX, njerëzit zbritnin tek ky manastir për ditën e “Shmarkut”, siç i thoshin ata Shën Markut, ditës së tretë të Shën Gjergjit, pra më 8 maj, rikujtonte plaku 80 vjeçar, Qerim Boroci, më 1976, në odën e Rrahman Demë Svircës. Ai konstatonte më tutje se manastiri ka qenë dikur i shqiptarëve, por pas konvertimit në fenë e re, ata të vetmen gjë që bën, qe vizita që i bënin Manastirit gjatë ditës së Shën Markut, pra më 8 maj të secilit vit.

Konstatimet për përvetësime të kishave arbërore prej serbëve vijnë nga dijetarë të ndryshëm, të huaj dhe vendës. Këto ndërmarrje serbe vijnë që në kohën e nemanjidëve dhe dushanëve, ndërsa  kisha arbërore pëson sidomos pas vitit 1307, kur në krye të Serbisë ishte mbreti Millutin. Në këtë periudhë fillon edhe shembja e kishave katolike, ndërsa mbi gërmadhat e tyre ngritën  kishat e ritit ortodoks.

Më pas ndodh edhe konvertimi i shqiptarëve katolikë në ortodos, kryesisht me dhunë, nga Stefan Dushani, i cili kishte nxjerrë një Kod (1349), në të cilin kishte saktësuar  pasojat për ata që do të kundërshtonin, me një dedikim të tërthortë arbërve dhe priftërinjve të tyre. Në këtë periudhë shkatërrimesh e kundërshtish, sikur nuk do të ishte normale të ngrihen kisha, edhe trikonkshe bile.

Manastiri përbëhet prej disa objekteve ndihmëse. Pjesën qendrore e zë kisha trikonkshe, ndërsa në perëndim të saj ndodhen mbetje ndërtesash, si  kthinat e depos  për ushqim, sallës për ushqim dhe bibliotekës,  kurse në kat ndodheshin kthinat për fjetje. Në veri dhe në jug ndodhen mbetjet e konakut me trem të mbyllur. Në anën lindore dhe jugore kanë qenë kthinat për bagëtitë dhe depot e ushqimit të tyre, si hambarët dhe stallat e kafshëve.

 

Kisha e Shën Mërisë e Manastirit të Moçarit

 

Kisha e Shën Mërisë e Manastirit të Moçarit u përket kishave me planimetri qendrore. Kisha e ka bazën e një kryqi të brendashkruar me një kube mbi pjesën qendrore të shenjtërores, që nuk ekziston më. Ka tri absida, të cilat nga jashtë janë trefaqësh dhe janë të veshura me gurë të latuar, ndërsa, nga brenda, ato kanë një formë gjysmë rrethore. Materiali i përdorur për ndërtim, kryesisht është guri dhe tulla. Tullat kanë shërbyer jo vetëm për dekorim, por edhe për murim, sidomos në formësimet harkore të hapjeve dhe lidhjeve të trarëve harkorë gjithashtu. Gurët e përdorur për murim janë të madhësive të ndryshme, njëkohësisht të papërpunuar fare të mbushur me llaç gëlqereje.

Në të vërtetë, faqet e rrafshëta të gurëve të mureve të brendshme janë nxjerrë në sipërfaqe, krahas tullave që janë përdorur në qoshe. Llaçi prej gëlqereje është përdorur në një masë më të madhe, sesa e hasim në objekte tjera.  Nga jashtë vërehet se nuk i është vënë kujdes pozitës së gurëve, ndoshta për faktin se ato janë veshur pastaj me gurë të përpunuar, në formë blloqesh. Veshja e mureve me gurë të përpunuar nga jashtë ruhet edhe sot. Për këtë arsye, kujtojmë se kemi të bëjmë me dy mure, ndërsa muri me gurë të përpunuar, mund të jetë ngritur menjëherë pas të parit, ose edhe ndonjë vit më vonë.

 

Dekorimi në fasadën perëndimore

 

Në kishë paraqiten pjesë muresh prej tullash dekorative. Muri më i dekoruar është muri i jashtëm perëndimor i kishës. Vetë dritarja e verbër (nike) është punuar nga tullat e vëna horizontalisht, të lidhura me llaç gëlqereje, ndërsa në pjesën harkore tullat me pozicionin e tyre formojnë harkun e dritares, i cili vihet re po nga shtrimi i këtyre tullave. Po në lartësinë e harkut, anash dritares, në anën e djathtë janë shtrirë dy radhë tullash në pozitë gjatësore, ndërsa në anën e majtë katër radhë sosh. Janë disa radhë horizontale tullash dekorative, të cilat shoqërohen me nga dy të tjera të vendosura vertikalisht pranë secilës dhe shtrihen tejpërtej murit. Duke u ngjitur kah kulmi, edhe njëherë  përsëritet e tërë forma strukturore me ndonjë ndryshim të vockël.

Madhësia e tullave të përdorura për dekorim dallon nga tullat e përdorura për murim për gjatësi dhe thellësi, ndërsa gjerësia është e njëjtë. Tullat për dekorim kanë përmasa 25 x 4 x 20 cm, ndërsa tullat për murim 27.5 x 4 x 14 cm.

Naosi   

Naosi ka bazë triabsidale, pra me tri absida dhe një kube, e cila ka qenë e vendosur mbi katër shtyllat vertikale nga dy për anash gjithsej, të cilat kanë shërbyer njëkohësisht për t’u vendosur arkadat në to. Arkadat nismën e kanë  në murin perimetral të anës perëndimore, ku është realizuar një inkastrim në lartësinë prej 4.70 m, pastaj kanë vazhduar duke u mbështetur në dy shtyllat vertikale njëra pas tjetrës, për të  përfunduar në shtyllat  vertikale që janë pjesë anësore të absidës lindore. Shtyllat e fundit janë të ndërtuara vetëm me tulla.

Në sallën e lutjeve, aty pranë absidës qendrore qëndron e ngulitur një shtyllë me lartësi prej 0.80 m, në të cilën ka qëndruar tryeza e altarit.

Gjatësia e naosit  në shtrirjen perëndim lindje është 11.90 m. Gjerësia pa absidat anësore është 7.40 m, ndërsa largësia ndërmjet dy absidave kundruall është 11.40 m.  Trashësia e mureve është 1.05 m. Absida veriore dhe ajo jugore janë krejtësisht të njëjta, ato kanë nga një dritare që shikon jashtë, por nuk kanë dy dollapë, sikundër i ka absida lindore. Forma e tyre zgurrore harkore (Prerja 4-4)  njëkohësisht realizohet me punën me tulla. Në muret e tyre ka edhe gurë, patjetër.

Në dyshemenë e naosit  qëndron bazamenti i pesë shtyllave, kolonave të punuara nga guri, të cilat janë thyer.

Bazamenti është i njëjtë për katër shtyllat. Ai përbëhet nga katër gurë në formë katërkëndëshi me përmasa 67 x 17 x 45 cm. Se sa është futur në tokë guri, nuk dihet sepse nuk lejohet të gropohet, ndërsa thellësia prej 45 cm është pjesa e dukshme e gurit. Gurët e vendosur në krahë lidhen mes tyre me shufra hekuri, ndërsa shtylla prej guri qëndron në mes të tyre. Nëse shtyllat ishin monokolonshe ose jo, nuk mund të thuhet, por se ato ishin prej guri, e dëshmon shtylla e vendosur në të majtë të derës hyrëse në naos, tek e cila vërehet shumë mirë guri i thyer.

Nga katër shtylla, ka mbetur vetëm njëra, ajo e dyta në të djathtë, të hyrjes në naos. Shtylla e tillë ka tetë kënde,  4 faqet e saja kanë gjerësinë prej 18 cm, ndërsa katër të tjerat kanë gjerësinë prej 10 cm. Në këto shtylla, veç tetë faqeve të nxjerra, për aq sa kanë mbetur nuk vërehet ndonjë punë dekorative në to.

Shtylla në të cilën do ketë qëndruar tavolina e altarit, është një e vetme, në një lartësi prej 80 cm, po gjithsesi e thyer për pak

 

Fasada e jashtme

 

Fasada e jashtme është zbukuruar me gurë të përpunuar. Në të shumtën e rasteve gurët kanë formën e katërkëndëshit, e rrallë të katrorit, ndërsa në qoshe gurët kanë po formën përkatëse të skajit, përkatësisht kanë formën e shkronjës L.

Forcimi i gurëve të fasadës, në rastet kur dy gurë të caktuar kanë pozicion mbajtës, zakonisht është bërë me lidhës hekuri, një lloj kllape si Z-ja me maje të kundërta. Gjatë vizitës më 8. 2. 2014, bërë manastirit, vërejtëm se gurët e tillë kanë rënë nga muri, megjithatë, ende vërehen hekura që sforcojnë lidhjet e gurëve në seri. Por, kështu nuk ndodh me të gjithë gurët, ka nga ata që lidhen vetëm me llaç gëlqereje. Gurët e tillë dalin me fytyrë të përpunuar, sikundër dalin edhe anësoret e dritareve të vendosura në tri absidat e kishës.

 

Plastika dekorative e gurit

 

Tashmë është konstatuar se kjo kishë dallohet për plastikën dekorative të gurit, por që nuk është e vetmja, edhe vetëm në territorin e Dardanës\Kamenicës. Të tillë plastikë dekorative në gurë ka edhe Manastiri te Hajnoci. Në kishën e Manastirit të Moçarit, nga plastika dekorative në gurë, kanë mbetur dy shpatullat vertikale gurore të dritares së absidës jugore dhe tri pilastra të vogla tetë faqesh nga 4 cm, të thyera gjithsesi, prandaj nuk dihet sa kanë qenë të gjata. Dy prej tyre, pilastra I dhe II, siç i emërtuam në bazë të gjatësisë momentale që kanë, ruajnë punimet dekorative në to, ndërsa tek e treta (III), ruhet vetëm nisma e formës dekorative.

Në dy pilastra tjera, të thyera tashmë,  dalin nga katër faqe të dekoruara. Pilastra më e gjatë (I) (57 cm), ka katër faqe të rrumbullakëta. Në to paraqiten ornamente simbolike nga kulti i diellit – në formë të yllit –rozetës gjashtërrembëshe[3].   Pilastra tjetër (II) (32 cm) ka katër faqe rombi, dhe të gjitha faqet kanë të njëjtin punim: zbukurim gjeometrik me nëntë katrorë të radhitur në treshe, ndërsa në brendësinë e tyre ka nga katër trekëndësha, që me gropëzimet e tyre, shikuar nga larg më shumë i ngjajnë një luleje.

Punimi i realizuar në të dy kanatet e dritares është i njëjtë, – janë ndërthurur gjithsej katër kanelyra katër fijesh të thurura, ndërsa gropëzimet në formë lapre veshi dhe ato në formë rombi, i japin shije, vetë punimit.

 

Narteksi dhe atriumi  

 

Kisha ka edhe narteksin, i cili është dëmtuar shumë për sa i përket lartësisë së mureve, që nuk kalojnë më shumë se një metër, por forma e tij kënddrejtë ruhet edhe sot.   Në narteks hyhet nga një hapje në jug të tij, ndërsa në naos të kishës hyhet nga narteksi.   Muri i narteksit, edhe gurët, e edhe llaçi që është lidhës i tyre, kanë ngjyrë më të mbyllët, krahasuar me murin perëndimor të kishës, i cili ka marrë një ngjyrë  gati krejtësisht të bardhë. Ky fakt na shtyn të mendojmë se narteksi i kësaj kishe do të jetë ndërtuar më vonë se vetë kisha.

Përmasat e narteksit nga përbrenda, muri veri-jug, është i gjatë 7.50 m, ndërsa ai lindje-perëndim, 7 m. Ndërsa trashësia e murit të narteksit që është 70 cm, është më e hollë se ajo e mureve të kishës për 35 cm.

Kisha ka një oborr të mirë në perëndim të saj, ndërsa në veri të narteksit ka edhe bunarin a pusin, uji i të cilit shfrytëzohej për pije si për njerëzit, si për kafshët.

 

Në vend të përfundimit

 

Gjatë vitit 1963-1966, janë kryer hulumtime të pjesshme arkeologjike në manastir, sikundër edhe është realizuar një konservim i pjesshëm.[4] Ndërsa, lidhur me raportet për punët e kryera nuk ka ndonjë shkrim. Objekti  i kishës dhe i konakut, tashmë janë të shkatërruar.  Mundësi e vetme për një lloj mbrojtjeje mbetet në radhë të parë konservimi i pjesëve të mbetura.

 (Për shkak të natyrës së portalit nga punimi janë hequr fusnotat)

You Might Also Like