NJOFTIM
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) njofton opinionin publik se, për shkak të reshjeve të fundit atmosferike dhe kushteve të vështirësuara në disa zona të vendit, ka marrë vendim që fillimi i procesit mësimor të shtyhet deri më 12 janar 2026.
Si pasojë e vërshimeve dhe situatës së rënduar në shumicën e komunave, si dhe e qarkullimit të vështirësuar për shkak të reshjeve të vazhdueshme, të cilat sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim duke shkaktuar vërshime lokale, vështirësi në komunikacion, probleme në sistemet e kanalizimit dhe pengesa në trafik, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka marrë vendim që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë në nivel vendi, përkatësisht më 8 dhe 9 janar.
Mësimi për gjysmëvjetorin e dytë do të fillojë të hënën, më 12 janar 2026.
MAShTI është në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe, bazuar në informacionet e pranuara nga terreni, është konstatuar se fillimi i procesit mësimor i paraparë për ditën e enjte është i pamundur. Për këtë arsye, procesi mësimor do të fillojë gjatë javës së ardhshme, ndërkohë që orët e humbura mësimore gjatë këtyre dy ditëve do të zëvendësohen gjatë pjesës së dytë të vitit shkollor 2025/2026 për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar.
Ministria falënderon prindërit, nxënësit dhe mësimdhënësit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke ritheksuar se siguria e nxënësve dhe e stafit arsimor mbetet prioritet kryesor.




