ARSIMI

Maturantët gjilanas kërkojnë përgjysmimin e pyetjeve për testin e maturës të këtij viti

Për: Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministren znj. Arbërie Nagavci

KËRKESË

E nderuar znj. Nagavci,

Me anë të kësaj shkrese, ne nxënësit e shkollave të mesme të larta, të viteve të treta (maturantë) si: Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti”, Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini”, Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Asllan Elezi”, Shkolla e Mesme Ekonomike “Marin Barleti”, Shkolla e Mesme Teknike “Mehmet Isai”, Shkolla e Mesme e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Arbëria” dhe Shkolla e Mesme e Medresesë “Alaudin” dega në Gjilan, të Komunës së Gjilanit, kërkojmë nga ju si kreu i MASHT-it, të na përkrahni në kërkesën tonë për rishikimin e testit të maturës, përkatësisht përgjysmimin e pyetjeve për testin e maturës të këtij viti nga 200 pyetje në 100.

E nderuar ministre Nagavci, po ju drejtojmë këtë kërkesë, me bindje në mirëkuptimin tuaj, pasi siç jemi informuar në shkollat tona, testi i maturës i këtij viti do t’i ketë 200 pyetje dhe do të mbahet në dy pjesë.

E nderuar ministre Nagavci, duke marrë parasysh situatën në të cilën po kalojmë më shumë se një vit, mendojmë se me këtë vendim, që testi i maturës të ketë 200 pyetje, po i bëhet një padrejtësi e madhe maturantëve kosovarë të kësaj gjenerate, prandaj kërkojmë nga ju dhe stafi juaj, që sikur vitin e kaluar edhe këtë vit, testi i maturës të ketë 100 pyetje (kriteret e pikëve të testit të jenë sikur të vitit të kaluar).

Arsyetim: Situata pandemike në të cilën po kalon vendi ynë, na ka shtyrë t’ua adresojmë këtë kërkesë si rezultat i ndikimit të shumë faktorëve negative, tashmë më shumë se një vit, disa prej të cilëve po i listojmë më poshtë :

1. Ndikimi i situatës së pandemisë Covid-19, në aspektin psikologjik (emocional), social, ekonomik dhe atë mësimor.

2. Fillimi i vonshëm i zhvillimit mësimor.

3. Joefikasiteti i mësimit në distance (online) dhe pamundësia e qasjes së shumë prej nesh në të (mungesa e pajisjeve dhe problemet teknike).

4. Kthimi në shkollë me orar të shkurtuar.

5. Ndarja e klasave në dy grupe dhe mësimi jo i rregullt (një javë po dhe një javë jo).

6. Ndërprerjet e shpeshta të procesit mësimor.

E nderuar ministre Nagavci, ne, maturantët gjilanas, e vlerësojmë lart punën e institucionit tuaj për arsimin, andaj duke marrë parasysh edhe situatën pandemike në të cilën po kalojmë, që është mjaft sfiduese dhe e papërshtatshme, presim mirëkuptim të plotë nga ana juaj.

Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, do të mirëprisnim edhe një takim me ju në Prishtinë apo në Gjilan, të bindur që gjithë maturantët kosovarë përkrahin kërkesën tonë.

Me respekt, përfaqësuesit e klasave të 12-ta të shkollave të Gjilanit :

Aiola Bislimi, Gjimnazi Natyror “Xhavit Ahmeti”

Anila Memeti, Gjimnazi Shoqëror “Zenel Hajdini”

Resa Dërmaku, Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Asllan Elezi”

Shkurte Avdyli, Shkolla e Mesme Ekonomike “Marin Barleti”

Ronard Idrizi, Shkolla e Mesme Teknike “Mehmet Isai”

Lorik Redenica, Shkolla e Mesme e Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Arbëria”

Seid Abazi, Shkolla e Mesme e Medresesë “Alaudin”

Gjilan, më 23. 04. 2021

You Might Also Like