Libri

NGA E KALUARA E DERI MË SOT (Përjetime e evokime të familjes Kryeziu)

 

dr. Bahtijar Kryeziu

NGA E KALUARA E DERI MË SOT(Përjetime e evokime të familjes Kryeziu)

ShB ERA, Prishtinë, 2021, faqe 497

Sot doli nga shtypi libri ynë i njëzetë, me titullin e sipërshënuar, i cili objekt trajtimi ka përjetimet dhe evokimet e familjes Kryeziu të Roganës, përgjatë sa e sa vjetëve, të shtrira në 497 faqe. Për hartimin e kësaj vepre u mbështetëm në kujtesën tonë dhe të pjesëtarëve të familjes Kryeziu të Roganës, faksimile origjinale e dokumente, si dhe në libra, revista e gazeta të kohës, të botuara në gjuhën shqipe, ose edhe në gjuhë të tjera – aso që shpërfaqin objektivitetin e jetës sonë, ose edhe aso me përmbajtje kuazi-shkencore të shkruara nga dikush tjetër, të cilëve ju kemi kundërvënë me argumente, aty ku e kërkonte puna. Për mungesë të veprave të hershme historike, kulturore e shkencore, gjithnjë kemi gjetur fajin te tradita e vonshme e shkrimit shqip. Por, nëse shkrimi shqip na paska munguar që para shekullit XV, sa ne i kushtuam kujdes shënimit të ngjarjeve të cilat i përjetuam, që nga ajo kohë e deri në mbarim të shekullit XX dhe fillim-shekullit XXI, edhe si shoqëri e edhe si individë, derisa të tjerët e shkruanin historinë sipas qejfeve dhe interesave të tyre. Këtu e kam fjalën edhe për Roganën, një fshat me njerëz që për të kërkuar të drejtat e shqiptarëve ia kishin myse edhe Portës së Lartë…, fshat me mbi 50 martirë e dëshmorë, disave prej të cilëve nuk u dihen as eshtrat ku i kanë, kur dihet se Rogana, nё vitin 2000 kishte njerëz të lapsit, nja 7 magjistra dhe 3 doktorë shkencash, në kohën kur e gjithë komuna e Vitisё kishte 10 magjistra e 9 doktorë shkencash (Dr. Bahtijar Kryeziu, “Biobibliografi e magjistrave dhe e doktorëve…”, Prishtinë, 2003:29).Kam lexuar diku nga studiuesi i njohur kroat, Radoslav Katiçiq (1930-2019), i cili paskësh thënë se serbët edhe në çdo shkallë që shkelnin e shkelin, e emërtojnë atë me një shenjë gjuhësore të veten, e për vendet tona të pushtuara po se po, të cilët edhe sot propagandojnë pareshtur, duke “u dalë zot” tokave shqiptare, nё saje tё emërtimeve tё fshatrave, tё qyteteve e tё “doku¬menteve” të tyre, ani se e vërteta është krejt ndryshe. Si mund të shpjegohen ndryshe qëndrimet e A. M. Selishçevit në veprën e tij “Slovenskoe naseljenie v Albanii” (Sofija, 1931) që, ndonëse pa shkelur Shqipërinë, duke gjykuar vetëm nga të dhënat e disa hartave, thotë se “shumica e emrave në Shqipëri janë me etimologji sllave”, edhe pse të tilla dalin nja 1000, e dihet se vetëm fshatra në këtë vend ka rreth 3000 (Çlirim Bidollari, Trajtimi i derisotëm i lëndës toponimike…”, “Studime filologjike”, nr. 1-4, Tiranë, 1995:12), ose pohimet e Urosheviqit në veprat: “Novobrdska Kriva Reka 32” (Beograd, 1950) dhe “Toponimi Kosova” (Beograd, 1975), ku gati të gjitha vendbanimet e Rrafshit të Kosovës, Llapit, Gallapit, Siriniqit dhe të Moravës së Poshtme i paraqet të gurrës sllave e shqiptarët ardhës në këto troje!Sigurisht se edhe për ne, ashtu siç do t’i ndodhte edhe çdo autorit të një monografie, shumë të dhëna do tё mbesin nё shtratin e harresës, megjithatë, mjaft përjetime, të zëna në gojë në vepër, do të mbesin si evokime e kujtime tona, për jetë e mot, për gjeneratat që do të vijnë pas nesh. Ky ka qenë dhe mbetet qëllimi dhe synimi ynë kryesor. Te popujt e botës së përparuar, evokimet e këtilla në letër, janë më tepër se modë. Nuk është rastësi, pse kroatët, bie fjala, shkruan edhe libra të një natyre të këtillë, si: “Tko je tko u Hrvatskoj”? (Kush ç’është në Kroaci) etj. Pos rreshtave të shkruar, edhe fotografitë e paraqitura në faqet e brendshme, e sidomos në ato të fundit të kësaj Monografie, sigurisht se do të zgjojnë kureshtjen e çdonjërit që e sheh veten aty e që, krahasuar me sot, nuk u beson as syve të vet – është ai apo jo? Të dhënat e paraqitura këtu, do të jenë një sihariq i mirë, besojmë ne, edhe për pasardhësit tanë, edhe pas shumë shekujsh, për të mësuar e ditur diçka më tepër për prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit, katragjyshërit… e tyre, se kush ishin dikur. Ky botim, natyrisht, nuk kënaq atë lexues, të cilit do t’i bie në dorë, e që pret të shijojë artin letrar, ngase as për nga forma e as për nga përmbajtja nuk e gjen dot këtu, sepse ky nuk ka qenë qëllimi ynë, por të dhënat për këtë familje tradicionalisht të ngulitur në këto tërthore, që herët (kur nuk mbahet në mend), për bijtë e bijat e saj gjatë ecejakeve nëpër kohë, kur dihet se rrënjët e fisit Kryeziu ndeshen qё herët në fshatin arvanitas Krieza të Eubesë Jugore – të Greqisë, siç dëshmon, besojmë, emri i Andon Kryeziut. Andon RYEZIU (1796-1865) lindi në ishullin e Hidrës, kur familja e tij kishte ardhur aty në shekullin XVII.Andon Kryeziu apo Andon Kriezi (greqisht: Αντώνιος Κριεζής), ishte një ushtarak arvanitas, pjesë-ma¬rrës nё Luftën e Greqisë për pavarësi, më 1821. Antonio bëhet edhe ministër i Marinës detare greke, kryekujdestar i oborrit të mbretit Otton, kurse gjatë viteve 1842-1844 dhe nga 24.12.1849-28 maj1854 ushtron edhe postin e kryeministrit të Greqisë. Te Wikepedia ndeshim edhe këto tё dhëna: “Fisi Kryeziu është popull që ka ekzistuar nё kohët e Lashta të Ilirisë. Ky fis nuk përmendet nё historinë Ilirike sepse ishte një fis qe jetonte ne mes Fisit Dardan dhe Labeat (Kukës, Kosovë)”.I bindur për pamundësinë e përfshirjes të të gjithë materialit ilustrues, ose edhe të atyre të dhënave që i ka mbuluar pluhuri i harresës, e të cilave nuk mund t’u shpëtojë thuaja asnjë punim, qoftë edhe shumë më serioz se ky e i përgatitur në institute shkencore, e njëherazi, duke pasur parasysh se çdo punim i tillë, është edhe çështje njohjeje e përvoje, do të vlerësoj si ndihmë çdo mendim tjetër, sugjerim ose vërejtje qëllimmirë, nga ata që dinë edhe diçka më tepër nga ajo që është paraqitur në vepër.

(Botimin e veprës e ndihmoi ordinanca stomatologjike “Bio-dent” e djalit tim, spec. implantolog, Ismail Kryeziu)Gjilan, 8 maj 2021

You Might Also Like