Teatër

Me akademi përkujtimore nderohet veprimtaria artistike e aktorit të ndjerë, Adem Muji

Komuna e Gjilanit e komuniteti artistik, në vigjile të hapjes së festivalit të dramës “Talia e Flakës 2025”, mbajti akademi përkujtimore për jetën dhe veprimtarinë artistike të aktorit Adem Muji, i cili ndërroi jetë muaj më parë në Gjenevë të Zvicrës.
Fillimisht, përmes një video-dokumentari u prezantuan pjesë të realizuara artistike/skenike nga krijimtaria e aktorit të ndjerë, ku pasqyrohej e mbarështruar dhe e adaptuar vetëm një pjesë e fushëveprimtarisë së tij.
Rrjedha e akademisë u pasua me një biografi të lexuar nga Liridonë Mehmeti, për t’u pasuar me fjalime përkujtuese, vlerësuese e nderuese për opusin krijues si dhe jetën e aktorit.
U theksua poashtu se aktori Adem Muja, një pjesë të jetës së tij ia kushtoi teatrit si profesion, gjegjësisht teatrit të Gjilanit si institucion, ku u formësua artistikisht krahas pleiadës së artistëve tjerë të gjeneratës së tij, kolegëve e miqëve me të cilët hapëroi në dërrasat e skenës.
Poashtu, u theksua se krijimtaria e tij ishte e bujshme edhe në mediume tjera, si televizion e gjetiu, krahas mundësive dhe kushteve që ofroheshin në periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalonte populli ynë në Kosovë gjatë vitet 90-të, kur edhe emigroi në Zvicër.
Në fjalën e saj, nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku, theksoi se Adem Muji ishte jashtëzakonisht i përkushtuar për punën e tij profesionale.
“… Krijimtaria e tij ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e arteve skenike, e cila do të vazhdojë të inspirojë breza të tërë. Puna e tij, e karakterizuar nga thellësia, shprehja e ndjenjave dhe ngjyrat e jetës, ka arritur të prekë zemrat e shumë njerëzve artdashës, duke u bërë e paharrueshme ndër breza”, tha nënkryetarja Morina-Bunjaku.
Drejtori i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi përhkruajti pjesë nga krijimtaria artistike e aktorit Muji, në funksion të ndërtimit të draditës së skenës teatrale, gjegjësisht të teatrit të Gjilanit, në rrjedhat e kohës – gjatë viteve 90-të, e cila periudhë – tha se është karakterizuar me peripeci të ndryshme.
“… Përkushtimi dhe dashuria për skenën, ishte pjesë e identitetit të aktori Adem Muji… Ai ishte pjesë e një brezi që punoi me përkushtim në rrethana jo të lehta, për të ndërtuar një traditë të qëndrushme në skenën e teatrit të Gjilanit.
Ai i solli teatrit personazhe të ndryshme që pasqyronin sfidat dhe realitetet e asaj periudhe. Kontributi i tij mbetet pjesë e rëndësishme e përpjekjeve kolektive në ngritjen e artit, kulturës dhe teatrit në përgjithësi në një nivel më të lartë estetik…”, tha vec tjerash, drejtori i Teatrit të Qyteit të Gjilanit.
Një evokim gjithëpërfshirës për jetën dhe krijimtarinë artistike, sikundër edhe atë atë miqësore me artistin, e bëri miku, shoku i gjeneratës, kolegu e artisti bashkëvedendës i tij, Ramadan Kurti.
Kurti mes emocionesh e vlerësoi lart personalitetin e aktorit Muja sikurse edhe bagazhin krijues për kohën e hapësirën që pati mundësi t’i përkushtohet gjatë viteve 80-të e 90-të të shek. XX-të.
“… Me pasionin dhe përkushtimin e tij, aktori Adem Muji krijoi figura e personazhe, që na bënin të qanim e të qeshnim, të reflektonim e t’i ndjenim thellë! – Rolet e tij ishin shembuj të përkushtimit profesional, aftësive prezantuese dhe origjinalitetit krijues”, tha aktori Kurti.
Ai më tej shpërfaqi edhe pjesë nga krijimtaria e përbashkët artistike/skenike, qysh nga bangat e shkollës fillore, ndërsa numëroi një mori rolesh të realizuar nga ana e aktorit Muji, shumica syresh të realizuara bashkërisht, e që përfshinin vepra të shquara të krijimtarisë dramatike të njohura në historikun e dramaturgjisë shqipe.
Një fjalë rasti për aktorin e ndjerë Adem Muji, mbajti edhe zv. Ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla. Ai duke evokuar kujtime për jetën dhe veprën e aktorit, vuri theksin tek sensi krijues që e karakterizonte që në fillet e karrierës së tij dhe përballjet e para me skenën, e që sipas tij përfshinin periudhën e hershme të tij si nxënës, që në bangat e shkollës fillore.
“… Përvoja me aktorin Adem Muji, sikurse edhe me Ramadan Kurti, ishte e jashtëzakonshme! Si amatorë u rreshtuam në mesin e teatrove të dëshmuara për të prezantuar në gteatrin e dikurshëm në shkup, që njihej atëbotë si “Teatri i Kombësive”… Atë përvojë nuk e arrinin asokohe madje as teatro të njohura e profesioniste. Kjo ndikoi tek unë dhe më shtoi dashurinë për teatrin, si dhe ndjesinë për skenën teatrale, për të qenë më afër artit, e për t’iu përkushtuar më shumë. Porse, në fakultet u ndamë pasi vijuam studimet të ndryshme, për t’u ndarë akoma më shumë pas burgosje sime”, tha Syla.
Zv. Ministri Syla theksoi më tej përkushtimin e Adem Mujit, me të cilin u bashkuan në veprimtari artistike, ndërsa vuri në spikamë aftësinë e tij për të nxjerrë në pah karakteret e personazheve të ndryshme që luante në shfaqjet e tij.
“… Bashkë me Ademin e bashkë me Danin (Ramadan Kurti), ecnim rrugës së krijimit të “Flakës së Janarit”, me të cilin hapëruam bashkë… Ai ishte një nga nismëtarët, kur në fshatin Bresalc vumë themelet e “Flakës… . ”… “… Kontributi i tij është shumë i cmuar edhe në prezantime e recitime të shumëta, si edhe në pjesë të caktuara prezantuese për “Flakë të Janarit… pastaj vjen lufta periudha e pas luftës, pasi më nuk ishim takuar… Kjo tablo e tretë ishte tejet interesante: Ademi nuk ishte më ai i dikurshmi, kur hezitonte të fliste për letërsinë… Ai tanimë kishte avancuar, ndërsa isha unë ai që tashmë ngurroja të hyja në analizë letrare, në debate për librat, si dhe rreth kulturës në përgjithësi… Kjo pasi, gjatë viteve që Ademi kishte jetuar në Zvicër, kishe lexuar dramaturgjinë botërore të të gjitha periudhave. Kishte lexuar poashtu letërsinë frenge, si dhe letërsinë botërore në përgjithësi, për t’u pajisur me njohuri të reja e të thella! – Kjo ishte ajo që më la përshtypje të jashtëzakonshme tek Ademi pas kaq vitesh, për atë nivel e dëshirë për të studiuar e lexuar gjatë gjithë kohës…”, shtoi më tej Syla.
Ma pas aktori Ramadan Kurti deklamoi poezinë e Gjergj Fishtës, “Atëdheu” të cilën aktori Adem Muji e donte pa masë.
Ndërsa, në fund, me një fjalë rasti e falënderim të posacëm, u paraqit vajza e aktorit Muji, Afërdita Muji.
“Dëshirojmë t’iu falënderojmë me mirënjohje që ju si kolegë e bashkëvendës të babait e organizuat këtë akademi në nderim të tij… Ju falënderojmë për prezencën dhe mbështetjen në këto momente tejet të veshtira… .
Ju falënderojmë poashtu, që gjatë jetës së tij i dhuruat dashni… Teatri i Gjilanit ka qenë vendi ku babi realizoi ëndrrën e tij artistike… largimin nga Kosova dhe ndarjen me teatrin, babai ynë nuk arriti ta harrojë asnjëherë…
Mund të them pa hezitim se për babain tonë kjo ndarje ka qenë që atëherë “shkëputje nga jeta”, tha mes emocionesh ajo.

You Might Also Like