Ka vënë një stendë në qendër të qytetit, më saktësisht në sheshin “Rexhep Mala e Nuhi Berisha” e mbi tavolinë një listë në të cilën kërkon nga qytetarët që të nënshkruhen, për siç thotë, një peticion për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit në Gjilan, i cili tash e sa vite ka mbetur si një gërmadhë dhe të cilit nuk po i shihet fundi i ndërtimit.
Është kjo një nismë e Yll Isufit, qytetar nga Gjilani dhe gazetar në Art Media, i cili mëton që me nënshkrimet e grumbulluara t’i drejtohet Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport nga e cila kërkon që të angazhohet me të gjitha forcat dhe angazhimin maksimal në mënyrë që stadium të bëhet sa më shpejt që është e mundur, ngase siç thotë Yll Isufi, dashamirët e futbollit dhe vetë futbollistët mjaftë kanë pritur dhe se me mospasjen e stadiumit qytetit i Gjilanit dhe qytetarët e tij po humbin shumëçka që do të mund t’a kishin.
Yll Isufi, ka thënë se ka dashur që të ngre edhe njëherë këtë çështje, të sensibilizojë opinionin dhe të ndikojë tek ministria gjegjëse që sa më parë t’ rreket punës, të përzgjedh kompaninë më të mirë e të nisin punët në bërjen e stadiumit.
Ai ka thënë se pret mbështetje nga të gjithë, edhe nga qytetarët, edhe nga klubet e gjithsesi edhe nga sportdashësit, mirëpo sap o shkonte kah fundi peticioni, Yll Isufi nuk ka lënë pa përmendur se ka pritur nënshkrues më në numër, ngase siç thotë edhe vetë ai, qytetit të Gjilanit I duhet një stadium modern, ngase pikërisht nga ky qytet vijnë gati dy ekipet më të mira në Kosovë, Drita dhe Gjilani, dy klubet që kanë tifozëri të saktë dhe që për çdo vit garojnë në garat evropiane, por që nuk kanë një stadium të atillë çfarë e meritojnë. /kryelajmi.com/.