Zgjedhjeve lokale në Kosovë e me këtë edhe në Komunën e Gjilanit ia kanë mësyrë edhe një numër i madh i mësimdhënësve, në adresë të të cilëve sot ka ardhur një njoftim me rëndësi.
Atyre u është bërë me dije se një javë para nisjes së fushatës duhet të pezullojnë marrëdhënien e punës në arsim edhe atë pa pagesë. I bie që ata në shtator mund të mbajnë mësim vetëm pesë ditë dhe nga data 05 shtator duhet të pezullojnë vendin e punës.
Ndonëse ligji e thotë ashtu, më herët shumë mësimdhënës “politikanë”, pasi nuk ishin zgjedhur këshilltarë komunalë ia kishin mësyrë zyrave të Drejtorisë së Arsimit, duke kërkuar pagat e tyre, e shumë syresh ia panë për të madhe edhe subjekteve politike për të cilat kishin konkurruar duke kërkuar që së paku ata t’ua kompensojnë pagat, duke i akuzuar se i prenë në besë, ngase shpesh kishte ndodhur që një muaj e gjysmë të mos marrin asnjë cent.
Për të shmangur të gjitha mosmarrëveshjet, Drejtoria e Arsimit qysh tashti ua ka bërë me dije këtyre mësimdhënësve se:
Duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe në afatet e përcaktuara nga KQZ lidhur me fushatën zgjedhore, ju njoftojmë se:
Zyrtarët publikë, respektivisht punonjësit e IEA-ve që janë kandidatë për këshilltarë komunal, janë të obliguar që:
• Të pezullojnë marrëdhënien e punës (pa pagesë) duke filluar nga data 05.09.2025 (7 ditë para fillimit zyrtar të fushatës).
• Ky pezullim vlen deri më 17.10.2025 (5 ditë pas përfundimit të fushatës zgjedhore).