OPINION

Mos bëni gara për klikime, trajtoni me kujdes viktimat, dëshmitarët dhe mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Nga Musa Sabedini – Gara për të bërë klikime në emër të një tragjedie në Gjilan, jep mesazh të keq të mënyrës së raportimit nga mediet online në veçanti. E keqja është se në këtë garë po përfshihen edhe mediet qendrore të cilat po bijnë viktimë të medieve lokale jo profesionale. Viktimat duhet të trajtohen me dinjitet, sikurse edhe dëshmitarët dhe të dyshuarit derisa ndodhen në arrati. Policia dhe Prokuroria kur heshtin gjatë u japin hapësirë për spekulime medieve.

Tragjedia e sotshme në Gjilan, ku për pasojë mbeten të vdekur tre persona, po përcillet me tituj bombastik e sensacional nga ana e medieve online.

Tituj bombastik e sensacional të përcjellur me të dhëna, e detaje të parakohshme dhe joshja e lexuesit në rrjetet sociale, për të ngjallur me çdo kusht interesimin e tyre për të “pëlqyer”, një lajm nga kronika e zezë, janë dobësi profesionale dhe mungesë respekti dhe etike për viktimat dhe familjarët e tyre.

“Ekskluzive nga vendi i ngjarjes”, janë shumë tituj që po qarkullojnë nëpër medet qendrore, duke shtrembëruar ose dhënë informacione të pakonfirmuara nga ana e organeve zyrtare siç është policia dhe prokuroria.

“Ekskluzive: Këta janë dy viktimat e vrasjes së dyfishtë në Gjilan” ishte një titull i njërit nga portalet qendrore, duke ofruar të dhëna dhe foto për të dyshuarit.

“Viktimat janë: Selami Hasani rreth 67-vjeçar dhe Abedin Hoxha rreth 68-vjeçar”, ishte në titull tjetër që përshkruhej me të dhëna dhe detaje te parakohshme për ngjarjen.

“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t`u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse”.(David Randall).

Nuk ka më mirë se sa media ose gazetari të njihet ose të vlerësojë, pos Etikës dhe standardeve profesionale të gazetarisë, të njoh edhe aktet juridike që lidhen me Vrasjet, vrasjet e rënda, vrasja e kryer në gjendje të fortë mendore, vrasje nga pakujdesia, vrasja e foshnjës gjatë lindjes.

Jo rastësisht e përzgjodha këtë thënie të një gazetari me përvojë, i cili fuqishëm demonstron arsyen pse burimet janë të dobishme për punën e çdo gazetari apo mediumi, pse parimet dhe mënyra e raportimit për një ngjarje, ndodhi, tragjedi, aksident, zjarrëvënie, dhunim, trafikim të qenieve njerëzore, korrupsion, krime të rënda, vrasje, tentim vrasje, afera të ndryshme e shumë vepra të tjera nga të cilat mund të kemi e të marrim shembuj të shumtë, duke specifikuar këtu edhe natyrën e krimit.

Për të jetuar me këto rregulla e parime etike, duhet patjetër që gazetari të jetë i përpiktë në mbledhjen dhe grumbullim të fakteve për secilin rast, të jetë afër ngjarjes, afër dëshmive, shumë afër të së vërtetës dhe të mos shpif apo spekulojë në asnjë rast të vetëm.
“Raportimi i rasteve të vrasjeve të rënda kërkon respektimin rigoroz të standardeve etike dhe profesionale, duke shmangur çdo formë senzacionalizmi apo gare për klikime. Mediat duhet të ofrojnë informim të balancuar dhe të verifikuar, duke mbrojtur dinjitetin e viktimave dhe duke mos ekspozuar identitetin e tyre apo të dëshmitarëve nëse kjo mund të shkaktojë dëm të mëtejshëm. Publikimi i detajeve makabre, fotove të ndjeshme ose informacionit të pakonfirmuar jo vetëm që dëmton integritetin e raportimit, por edhe mund të pengojë hetimet zyrtare. Përmbajtja duhet të kufizohet në faktet thelbësore dhe motivin e ngjarjes, pa spekulime, duke respektuar të drejtat e të gjitha palëve dhe duke siguruar që narrativa të mos nxisë paragjykime ose dhunë të mëtejshme”. (Allan, S., & Zelizer, B. (2004). Reporting War: Journalism in Wartime. Routledge.
UNESCO. (2021). Reporting on violence and conflict: Ethical guidelines for journalists. UNESCO Publishing.)

Nganjëherë mediet duke dashur të bëjnë punën më të mirë të mundshme edhe gabojnë me qëllim apo pa të dhe për t`i ikur këtyre defekteve ekzistojnë procedura, udhëzues nga më të ndryshmit e mbi të gjitha kritere e kode etike, nga të cilat mund të mësojmë shumë.

Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online po vërehen defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen. Nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda. Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, por seriozitetin dhe ndjeshmërinë e raportimit duhet ta respektojë në çdo situatë të ndërlikuar.

Gazetarinë e mirë e ndërtojnë mediet profesionale, por në teren janë kronistët ata që bëjnë lajmin, kronikën, raportin dhe investimi në këtë drejtim është obligim profesional i yni.

Andaj raportimi për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, padyshim që paraqet njërën nga sfidat më të mëdha të medias, e në veçanti të gazetarit që ballafaqohet drejtpërdrejt me këto situata.

You Might Also Like