Shëndeti

Ndërhyrje e rrallë kirurgjikale ortopedike realizohet me sukses nga Dr. Imran Shaqiri dhe Dr. Arian Bujupi

Ndërhyrje e rrallë kirurgjikale ortopedike realizohet me sukses nga Dr. Imran Shaqiri dhe Dr. Arian Bujupi

Një hap i rëndësishëm për mjekësinë vendore është shënuar së fundmi në “United Hospital”, ku ekipi i kirurgëve ortopedë ka realizuar me sukses të plotë një nga procedurat më të avancuara në fushën e ortopedisë moderne.

Dr. Imran Shaqiri, ortoped traumatolog nga Gjilani, i cili vazhdon të dëshmojë kapacitete të larta profesionale, së bashku me kolegun e tij, Dr. Arian Bujupi, kanë kryer vendosjen e protezës “Universe Reverse” të shpatullës (krahut). Kjo ndërhyrje konsiderohet si e rrallë dhe specifike, duke kërkuar përgatitje të lartë profesionale.

Operacioni shënon një standard të ri në trajtimin e patologjive të rënda të shpatullës. Dy mjekët, Shaqiri dhe Bujupi, përmes kësaj ndërhyrjeje kanë demonstruar se trajtimet moderne janë të qasshme edhe për pacientët tanë, duke ofruar zgjidhje aty ku metodat konvencionale nuk japin rezultat.

Dr. Imran Shaqiri është shprehur i lumtur për mbarëvajtjen e operacionit dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me kolegun e tij, Dr. Bujupi. Ai ka shpjeguar detajet teknike dhe rëndësinë e kësaj proteze specifike.

“Kjo lloj proteze aplikohet në raste të përzgjedhura kur strukturat natyrore të shpatullës janë të dëmtuara rëndë dhe trajtimet konvencionale nuk janë të mjaftueshme. Por, falë planifikimit të detajuar, teknikës bashkëkohore dhe përvojës profesionale, operacioni u përmbyll me rezultat të shkëlqyer. Kjo ndërhyrje përfaqëson një nga procedurat më të rralla dhe më të avancuara në fushën e ortopedisë moderne,” theksoi Dr. Shaqiri.

Përveç aspektit teknik kirurgjikal, fokusi kryesor i kësaj ndërhyrjeje mbetet pacienti. Sipas Dr. Shaqirit, vendosja e protezës së avancuar “Universe Reverse” përkthehet drejtpërdrejt në: Rikthim të lëvizshmërisë së krahut, rikthim të pavarësisë funksionale, përmirësim drastik të cilësisë së jetës.

Ky sukses rikonfirmon përkushtimin e Dr. Imran Shaqirit dhe Dr. Arian Bujupit për të vendosur gjithmonë pacientin në qendër të kujdesit shëndetësor, duke ofruar zgjidhje afatgjata për problemet e tyre shëndetësore.

You Might Also Like